Shkruar nga: Johannes Klominek[1]

Allahu i Lartësuar na ka njoftuar se Ai e ka ngritur shumë lart çështjen e njeriut dhe se i ka nderuar bijtë e Ademit:
“Në të vërtetë, Ne i kemi nderuar bijtë e Ademit: ua kemi bërë të mundur që të udhëtojnë në tokë dhe në det, u kemi dhënë ushqime të mira e të lejuara dhe i kemi ngritur lart mbi shumë prej atyre që kemi krijuar.”[2]
“Në të vërtetë, Ne e krijuam njeriun në trajtën më të përkryer.”[3]
Po ashtu na ka njoftuar se çdo që ekziston në Tokë, Ai e ka krijuar për hir të njeriut:
“Është Ai që për ju ka krijuar çdo gjë që ka në Tokë.”[4]

Pra, muslimanët besojnë se Allahu i ka nderuar bijtë e Ademit, se i ka krijuar në trajtën më të përkryer dhe se çdo gjë që ka në Tokë është krijuar për hir të njeriut.

Ndërsa, ateistët të gjithë ekzistencën e kufizojnë vetëm brenda materies dhe energjisë. Universi dhe çdo gjë që ka në të janë thjeshtë disa grimca që lëzivin. Kurse, për njeriun thonë se është një kafshë prej kafshëve dhe qëllimi i ekzistimit të tij është vetëm biologjik, pra riprodhimi. Prijësi i ateizmit të ri, Richard Dawkins, thotë:
“Universi është vetëm një grumbull grimcash të lëvizshme. Kurse, njerëzit janë thjeshtë makina për riprodhimin e ADN-së.”[5]

Ateistët e mohojnë ekzistencën e shpirtit dhe besojnë se çdo gjë që ndërlidhet me vetëdijen (ndërgjegjen) mund të shpjegohet përmes interpretimit materialist dhe se ajo kufizohet brenda trurit të njeriut. Ateisti Francis Crick, biolog dhe fitues i çmimit Nobel, thotë:
“Ti, gëzimi dhe pikëllimi yt, kujtimet dhe aspiratat e tua, ndjenja për identitetin tënd personal, vullneti yt i lirë, në realitet nuk janë gjë tjetër veçse sjellje (reagim) që vjen si rezultat i një grupi të gjerë të neuroneve dhe pjesëve shoqëruese të tyre.”[6]

Atëherë, cila është vlera e njeriut nëse kjo është gjendja e tij? Cila na qenka vlera e kësaj “kafshe”  në një univers të gjerë dhe të përbërë vetëm nga grimcat në lëvizje? Kësaj pyetje i përgjigjet ateisti Stephen Hawking, kozmolog i njohur, i cili thotë:
“Lloji njerëzor është thjeshtë një papastërti kimike që ekziston në një planet me madhësi të mesme.”[7]

Teoria më e rëndësishme shkencore mbi të cilën mbështetën ateistët sot është teoria e evolucionit. Kjo teori i bëri ata që ta kthejnë përmbys peshorën e vlerës së njeriut, siç e sqaron këtë Michael Denton, një biokimist i njohur për kritikat e tij ndaj teorisë së evolucionit:
“Vizioni i ri revolucionar i Darvinit ndryshoi botën… ai nënkupton që e gjithë larmia e jetës në Tokë ishte rezultat i proceseve natyrore dhe të rastësishme, dhe jo – siç besohej më parë – rezultat i krijimit të Zotit. Pranimi i këtij pretendimi të madh dhe si pasojë largimi i Zotit nga natyra, luajti një rol vendimtar në sekularizmin e shoqërisë perëndimore.”[8]
Më poshtë thotë:
“Darvinizmi është teoria që ndërpreu marrëdhëniet e njeriut me Zotin dhe me gjithë forcën e vendosi njeriun në univers pa asnjë synim dhe qëllim final. Kjo është ajo që e bën thelbësore ndikimin e kësaj teorie. Nuk ka asnjë revolucion ideologjik në kohën moderne… që ndikoi kaq shumë në pikëpamjen e njeriut për veten e tij dhe vendin e tij në univers siç ndikoi kjo teori.”[9]

Kjo pikëpamje ateiste e darvinizmit e zhvlerësoi qenien njerëzore, sepse sipas saj njeriu është vetëm një kafshë, as më shumë dhe as më pak. Kështu ishte shprehur vet George Gaylord Simpson, njëri ndër paleontologët më të famshëm të shekullit njëzet në Shtetet Bashkuarat të Amerikës. Ai thotë:
“Në botën e Darvinit, qeniet njerëzore nuk kanë ndonjë vend të veçantë, përveç identifikimit të tyre si një lloj i veçantë i kafshëve. Me plotë kuptimin e fjalës, ai është një pjesë e natyrës, jo i pavarur prej saj. Ai është homogjen – në realitet jo si metaforë – me të gjitha gjallesat tjera, qoftë amebë, shirit, algë deti, lis apo majmun, edhe pse shkalla e marrëdhënies midis tyre dallon.”[10]

Kjo pikëpamje e çuditshme te ateistët në lidhje me qenien njerëzore i çoi ata drejt përvetësimit të filozofisë nihiliste, pavarësisht a e pranojnë këtë apo jo, siç tha Fred Hoyle – kozmolog britanik:
“Jam i përhumbur nga bindja se filozofia nihiliste e miratuar nga opinioni i të shkolluarve pas botimit të librit “Origjina e specieve” e ka bërë njerëzimin të shkojë në një rrugë drejt vetëshkatërrimit automatik. Dita e Gjykimit po afrohet!”[11]

Si mund të përmblidhet kjo teori rreth jetës? Ateisti William Provine, profesor amerikan i biologjisë evolucionare, e përmbledh atë duke thënë:
“Më lejoni të përmbledh pikëpamjet e mia mbi atë që biologjia evolucionare na mëson në mënyrë të hapur dhe transparente, dhe ato janë në origjinë pikëpamjet e Darvinit: Nuk ka zota, nuk ka synim, nuk ka forca të drejtuara nga ndonjë qëllim, nuk ka bazë përfundimtare për moralin dhe asnjë qëllim për jetën. Gjithashtu, nuk ka as vullnet të lirë të njeriut.”[12]

Cili është fati i njeriut? A ka ndonjë synim (objektiv) për të? Cili është qëllimi i jetës? Këto janë pyetjet më të rëndësishme në jetën e secilit. Mirëpo, si u përgjigjet atyre një ateist? Ateisti, Alex Rosenberg, profesor amerikan i filozofisë, thotë:
“Cili është qëllimi i universit? Asgjëja. Cili është qëllimi i jetës? E njëjta gjë. A ka historia ndonjë qëllim apo synim? Ajo është plot zëra dhe zemërime, gjë që nuk tregon asgjë.”[13]

Atëherë, si mund të ketë ndonjë të drejtë shtesë për këtë kafshë të humbur mbi të drejtat e kafshëve të tjera? Kjo është një çështje problematike për shumë ateistë. Francis Fukuyama, politikani dhe shkrimtari i mirënjohur amerikan, e përmendi këtë problem ateist evolucionar në librin e tij të famshëm “Fundi i historisë”, ku thotë:
“Të drejtat e njeriut kanë një problem të thellë filozofik, pasi së pari duhet të kuptojmë qenien njerëzore para se të diskutojmë për të drejtat e tij. Duhet të kuptojmë natyrën e njeriut. Shkencat moderne natyrore tregojnë se nuk ka asnjë ndryshim midis njeriut dhe natyrës. Dhe kur e zgjerojmë barazinë që mohon ekzistencën e ndonjë ndryshimi midis njerëzve, atëherë kjo mund të përfshijë mohimin e ekzistencës së ndryshimeve të rëndësishme midis njerëzve dhe majmunëve të mëdhenj. Por, pyetje të panumërta lindin nga kjo: Si është e mundur që vrasja e njerëzve është e paligjshme, ndërsa vrasja e këtyre kafshëve nuk është? Dhe në mënyrë të pashmangshme do të arrijmë në një pikë kur do ta parashtrojmë pyetjen vijuese: Pse parazitët dhe viruset nuk gëzojnë të drejta të barabarta me të drejtat e njeriut?”[14]

Shikoni pra këtë pikëpamje të qenies njerëzore tek ateistët, dhe dallimin midis saj dhe vlerës së njeriut në Islam!

Falendërojmë Allahun e Lartësuar që na udhëzoi në këtë fe të drejtë dhe që na shpëtoi nga errësirat e mosbesimit dhe ateizmit. Lëvdatat edhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të Dërguarin tonë Muhamed dhe mbi familjen dhe shokët e tij!

Përktheu: Lulzim Përçuku

 

[1] Hulumtues pranë webfaqes “yaqeen.net” e cila shërben për kritikë ndaj ateizmit dhe laicizmit.

[2] Kuran, 17:70.

[3] Kuran, 95:4.

[4] Kuran, 2:29.

[5] “BBC Christmas Letter Study Guide (1991)”.

[6] “The Astonishing Hypothesis: (3)”.

[7] “From the TV show Reality on the Rocks: Beyon Our Ken (1995)”.

[8] “Evolution: A Theroy in Crisis (17)”.

[9] “Evolution: A Theroy in Crisis (67)”.

[10] “The World into Which Darwin Led Us, Science 131 (1960), p. 970”.

[11] “The Intelligent Universe (9)”.

[12] “Darwinism: Science or Naturalistic Philosophy?” Origins Research 16:1

[13] “The Atheist Guide to Reality” (2 – 3).

[14] “Fundi i historisë dhe vula e Njerëzve” (259).