Disa dëshmi logjike që provojnë se Zoti është Krijuesi dhe i Adhuruari i vërtetë.

Mëso se, pa asnjë dyshim që kjo është çështja më madhështore, më e dobishmja, më e detyrueshmja, më e çmuara dhe më e qarta. Për këtë janë në harmoni të gjithë librat e zbritur dhe të gjithë të dërguarit. Është gjëja e parë dhe më e rëndësishme për të cilën u kanë bërë thirrje të dërguarit popujve të tyre: “Adhuroni Allahun! Ju nuk keni zot tjetër përveç Tij.” (El-‘A’râf, 59)

Profetët u kujtojnë njerëzve emrat dhe atributet e Tij, mirësitë, begatitë dhe butësinë e Tij, nëpërmjet të cilave do të njohin Zotin e tyre, do t’i përulen e do ta adhurojnë.

Kurani madhështor e sqaron këtë çështje duke cituar prova të ndryshme. Pra, Kurani i ka kushtuar shumë vargje, siç i ka kushtuar edhe Suneti.

Me këtë rast nuk kam për qëllim të parashtroj argumente sheriatike (nga Kurani dhe Suneti), meqë ato janë plotësisht të qarta dhe të paraqitura nga njerëzit e fushës (hoxhallarët) dhe pjesa tjetër, duke qenë të mjaftueshme, pa u shtuar asgjë për sa i takon arritjes së qëllimit: njohjes së Allahut në tërësi dhe në hollësi.

Mirëpo, këtë herë dëshiroj të tërheq pak vëmendjen drejt provave dhe argumenteve logjike, të cilave u nënshtrohet çdo njeri i arsyeshëm dhe i drejtë, si dhe i mohon çdo kryelartë, kryeneç apo trillues.

Kjo çështje është shumë më e qartë sesa nevoja për ta argumentuar dhe cituar me ndonjë dëshmi. Megjithatë, sa më shumë që besimtari njihet me argumentet, aq më shumë i forcohet dhe i shtohet imani në zemër. Kështu i përforcohet bindja dhe e lavdëron Allahun për këtë mirësi, që është më madhështorja. Prandaj, të dërguarit u thanë popujve të tyre: “Vallë, a mund të dyshohet në Allahun?![1] (Ibrâhîm, 10) Kjo është një pyetje retorike, përmes së cilës konfirmohet ajo përgjigje që është e vendosur në të gjitha zemrat e njerëzve të mençur: Zoti ekziston, Ai është Zoti i çdo gjëje dhe i adhuruari i vërtetë.

Mëso – Allahu të mëshiroftë! – se, nëse kundron botën qiellore e tokësore do të vëresh llojllojshmërinë e krijesave që ka vendosur Allahu në to, si dhe dukuritë e përsëritshme/episodike (shkakore). Pra, nëse mendon drejt rreth këtyre, atëherë mund të arrish në përfundimin se përpara kemi vetëm tri mundësi logjike:

  1. Këto krijesa ekzistojnë vetvetiu (nga hiçi), pa pasur një shpikës apo krijues, gjë që është e pamundur. Për mendjen është gjëja më absurde të besohet diçka e tillë, dhe dihet mirëfilli se kush bën një pretendim të kësaj natyre është më afër çmendurisë sesa mençurisë.
  2. Të kenë shpikur apo krijuar vetveten. Edhe këtë mundësi logjika e shëndoshë e konsideron po aq të pamundur. Çdo njeri i arsyeshëm pohon se një gjë e caktuar nuk mund ta ketë krijuar vetveten.

Pra, nëse logjika dhe natyra e shëndoshë i hedh poshtë këto dy mundësi, atëherë mbetet vetëm e treta – e vërteta:

  1. këto krijesa dhe këto dukuri kanë krijuesin e tyre, shpikësin, që është Zoti i madhërishëm, Krijuesi i çdo gjëje, kontrolluesi i çdo gjëje dhe administruesi i të gjitha çështjeve. Prandaj, Zoti na ka tërhequr vëmendjen te kjo ndarje e qartë botëkuptimore për çdo të mençur: “Vallë, u krijuan nga hiçi apo ata vetë janë krijues të vetvetes? Vallë, ata i kanë krijuar qiejt dhe Tokën? Kurrsesi, por ata nuk janë aspak të bindur.” (Et-Tûr, 35-36)

Krijesa detyrimisht ka një krijues; gjurmën patjetër që duhet ta ketë lënë dikush, e shpikura patjetër që ka një shpikës, gjëja ka krijuesin, ndërtesa ka ndërtuesin, vepra autorin.

Këto çështje të zakonshme e të qarta janë të mirënjohura për të gjithë njerëzit e mençur; ato janë çështjet më të rëndësishme për mendjen, kështu që, nëse dikush dyshon apo e vë në pikëpyetje atë që ato provojnë, atëherë ka dëshmuar se është i shkalluar e i humbur.

Mendo rreth vetvetes, shiko ku zë fill krijimi yt: një pikë fare, pastaj kthehet në një droçkë gjaku, e cila kthehet në një copë mishi me trajtë, derisa shndërrohesh në një krijesë me gjymtyrë të plota, të jashtme e të brendshme.

A nuk të detyron kjo të pranosh Zotin si të i Plotfuqishëm për çdo gjë?! A nuk është Ai i Gjithëdituri, që me dijen e Tij ka përfshirë çdo gjë?! Që me urtësinë e Tij ka krijuar çdo gjë?!

Sikur të gjitha krijesat të bëhen bashkë, e mandej këtë pikë fare – që është pikënisja e krijimit tënd – ta bartin nëpër këto faza të ndryshme, ta ruajnë në mitër, t’i krijojnë dëgjimin, shikimi, mendjen, forcën shpirtërore e fizike; pastaj të zhvillojnë këto gjymtyrë në këto përmasa të habitshme, të bëjnë lidhjen dhe vendosjen në mënyrë kaq të rregullt e t’i radhisin kaq mençur e përsosur – pra, nëse bëhen bashkë, a kanë kaq dije, kaq forcë e kaq aftësi të bëjnë diçka të tillë?!

Një shqyrtim si ky të shtyn të pranosh madhështinë dhe fuqinë e Zotit; t’i nënshtrohesh dhe përulesh, të besosh librat dhe profetët e Tij. Është thjesht një provë e arsyes dhe e natyrshme, që detyron çdo natyrë të pastër të njohë Zotin, të Adhuruarin e vet.

Medito se si i mbron Allahu qiejt dhe Tokën dhe çdo botë gjallesash që jeton në to: garanton vazhdimësinë dhe u jep mbështetje me të gjitha shkaqet e nevojshme, në mënyrë që të vazhdojnë së ekzistuari. A nuk është kjo dëshmi për përsosmërinë e Zotit, përsosurinë e Mbajtësit dhe Zotëruesit të çdo gjëje?! Zoti na kujton këtë fakt me këto fjalë:

Dhe një prej shenjave të Tij është se qiejt dhe Toka qëndrojnë sipas urdhrit të Tij…” (Er-Rûm, 25)

Me të vërtetë, Allahu mban ekuilibrin e qiejve dhe të Tokës, që të mos shkatërrohen. Kur ato nisin të shkatërrohen, nuk mund t’i mbrojë askush përpos Tij. Ai është i Butë.” (Fâtir, 41)

Mendo, o vëlla, rreth rrotullimit të trupave në kozmos, ndërrimit të natës dhe ditës, lëvizjes së kohëve dhe stinëve me gjithë dobitë që sjellin dhe me rregullin e përsosur që ndjekin për të përmbushur mirësitë e panumërta për krijesat! A mund të konsiderohet kjo si rastësi e natyrës?!

Apo Ai që i ka krijuar, i drejton dhe kontrollon me një përsosmëri absolute? Pra, është Ai “i Cili ka përsosur çdo gjë që ka krijuar”. (Es-Sexhde, 7)

Ky është krijimi i Allahut: ka përsosur çdo gjë!” (En-Neml, 88)

Shiko – Zoti të drejtoftë! – se si Ai i ka dhënë çdo gjëje trajtën e përshtatshme dhe pastaj çdo krijesë e ka udhëzuar drejt interesave, nevojave dhe domosdoshmërive të veta, saqë edhe kafshët, të voglat e të mëdhatë i ka inspiruar dhe drejtuar drejt çdo gjëje të dobishme, duke ua lehtësuar madje edhe pjesën e vet të riskut.

Kur shikon udhëzimin e përgjithshëm dhe frymëzimin e mahnitshëm me të cilin e ka pajisur çdo krijesë për të arritur te gjërat e nevojshme dhe të domosdoshme, kupton kujdesin e madh të Tij, sikurse kupton se Ai është Zoti i çdo qenieje dhe Krijuesi i çdo krijese. Zoti, përveçse i ka mësuar krijesat, u ka dhënë edhe atë lloj perceptimi që të kuptojnë atë që është e dobishme dhe të mbajnë larg atë që është e dëmshme. Kjo është një provë logjike e jashtëzakonshme që tregon për njëjësinë e Zotit dhe përsosmërinë e Tij. Prandaj, kur faraoni mohoi Zotin e botëve, tha:

E kush është Zoti juaj, o Musa? Musai tha: Zoti ynë është Ai që i ka dhënë çdo gjëje trajtën e duhur dhe e ka udhëzuar.” (Tâ Hâ, 49-50)

Pra, ka përdorë si argument këtë fakt të dukshëm për çdokënd.

A nuk është e pranishme në botën e të gjitha qenieve të gjalla prirja dhe udhëzimi drejt interesave të tyre, mëshira dhe dhembshuria për të vegjlit e tyre dhe kujdesi derisa të pavarësohen?!

A nuk është kjo dhembshuri dhe kjo mëshirë prova më e madhe për Madhështinë e Tij, për Mëshirën e gjerë të Tij që ka përfshirë çdo gjë?!

Pastaj, – Allahu pastë mëshirë për ty! – heto gjerësinë e mëshirës së Tij, që e gjen të përhapur në çdo hapësirë të kësaj bote duke përfshirë çdo krijesë, në çdo rrethanë. Me mëshirën e Tij i ka sjellë në ekzistencë krijesat; me mëshirën e Tij i ruan, i ndihmon me çdo gjë që kanë nevojë; ka derdhur mbi ta mirësitë e Tij të dukshme e të padukshme, gjë që krijesat nuk do të mund ta bënin kurrë diçka të tillë – begati këto që na vijnë nga çdo anë:

mirësia e dijes dhe mësimit të të gjitha çështjeve të dynjasë dhe fesë; mirësia e shëndetit në përgjithësi dhe e çdo gjymtyre në mënyrë të veçantë; mirësia e riskut, mirësia e fëmijëve dhe pasardhësve; mirësia e produkteve që mbillen dhe e frutave që vilen; mirësia e kafshëve shtëpiake dhe pajisjeve të ndryshme; mirësia e shtëpive e pallateve; mirësia e kënaqësive dhe gëzimeve…

Mirësitë, përmes të cilave arrihen të gjitha gjërat e dobishme dhe evitohen të gjitha të dëmshmet, janë dëshmia më e qartë për njëjësinë e Dhuruesit dhe Begatuesit, gjë që na e bën detyrë falënderimin dhe sinqeritetin ndaj Tij. Atëherë, a mund të jetë njësoj Ai që krijon me atë që nuk krijon?! A nuk po kthjelloheni?! A mund të jetë njësoj Ai që na dhuron të gjitha mirësitë me atë që është i varfër, nevojtar dhe i mjerë?!

Pastaj hidhi një sy gjendjes së atyre që kanë rënë në zor e janë në rrezik, që i ka këputur varfëria e thellë! Ose ata që i ka përkulur dhimbja e sëmundjes, se si detyrohen t’i drejtohen Zotit të tyre – të Adhuruarit të tyre të vetëm, duke iu lutur të përulur që t’i përmbushë nevojat e tyre. Kështu, Zoti i përgjigjet lutjes së tyre, duke i nxjerrë nga vështirësitë dhe duke plotësuar nevojat e tyre të domosdoshme.

A nuk është kjo dëshmia më madhore që vërteton njëjësinë e Tij, dijen e pafund, mëshirën gjithëpërfshirëse, dhembshurinë e përkryer dhe butësinë e përsosur?!

A nuk është (më i miri) Ai që i gjegjet nevojtarit kur ai i lutet, që jua largon të keqen dhe ju bën trashëgimtarë në tokë?! A ka ndonjë të adhuruar me meritë veç Allahut? Sa pak që kujtoheni!” (En-Neml, 62)

Ai ju jep mundësi të udhëtoni në tokë dhe në det. Kështu, ndodh që njerëzit lundrojnë me erë të mbarë, gjë që i gëzon; por, papritur ia beh një stuhi dhe rrethohen me dallgë nga të gjitha anët, dhe mendojnë se ky është fundi, ndaj dhe i luten Allahut me sinqeritet: “Nëse na shpëton, do të jemi mirënjohës!” E kur Ai i shpëton, ata bëjnë mbrapshti në tokë pa të drejtë.” (Jûnus, 22-23

Këtë njerëzit e kanë perceptuar dhe parë me sy aq herë, sa nuk mund të llogaritet as njehet. Kjo i detyron të pranojnë Allahun dhe të pranojnë se Ai është Zoti dhe i Adhuruari i vërtetë.

Ti i shikon njerëzit që ndodhen ngushtë dhe i ka kapur ndonjë hall i madh, se si zemrat e tyre janë të lidhura pas Allahut; gjuhet i përgjërohen duke e lutur, zemrat rrahin për ta arritur, duke mos lakuar shikimin as majtas e as djathtas, por vetëm nga Ai; duke e ditur plotësisht se vetëm Ai mund t’i shpëtojë nga halli dhe t’ju japë të mira e dobi.

Kjo nuk ndodh për diçka tjetër veçse për faktin se krijesa është e brumosur të besojë se Zoti është Një dhe i Vetmi që mund t’ju sjellë dëm e dobi, dhe se i gjithë sundimi është në Dorën e Tij. Përjashto ato raste kur natyra e shëndoshë e njeriut dëmtohet nga besimet e pavërteta dhe qëllimet e këqija.

Vështro se si çdo krijesë ka nevojë dhe është e varfër për Allahun: e varfër për sa i takon krijimit e formimit; e varfër për sa i takon vazhdimësisë, riskut dhe mbështetjes; e varfër për të arritur atë që është e dobishme dhe për të shmangur të dëmshmet. Pra, ata e lusin Allahun edhe me gjuhë, edhe me zemër.

Atij i luten banorët e qiellit e të Tokës dhe ai i përmbush kërkesat e tyre, i ndihmon në aspiratat e tyre: kur synojnë diçka, i drejtohen vetëm Atij; kur i prek ndonjë e keqe, i kërkojnë ndihmë vetëm Atij.

Sa e sa halle e vështirësi ka larguar Ai! Sa plagë ka shëruar e sa aspirata ka lehtësuar! Sa e sa pikëllime ka hequr e sa e sa të pashpresë ka shpëtuar!

Pra, në çdo gjendje, nevoja e tyre për Të është e qartë dhe e dukshme. Ai është i Pasuri, nuk ka nevojë për asnjë krijesë – me këtë bie dakord çdokush, përveç ndonjë kryelarti e mohuesi.

Një prej dëshmive që vërteton Njëjësinë e Krijuesit, Zotit, është pranimi i lutjeve prej Tij në çdo kohë. As që mund të imagjinohet se sa shumë kërkesave e lutjeve u përgjigjet, qofshin këto prej njerëzve të devotshëm apo keqbërës, muslimanë apo mohues.

Arrihen shumë të mira pa kuptuar ndonjë shkak tjetër veç lutjes, dëshirës për të arritur mirësitë e Allahut dhe shpresës për mëshirën e Tij. Kjo është një dëshmi e dukshme dhe e prekshme, që mund ta kundërshtojë vetëm ndonjë trillues kryelartë. Njerëzit i luten për të mirat e dynjasë dhe Ai u përgjigjet; e lusin për të mirat e ahiretit dhe sërish u përgjigjet.

Disa njerëz thonë: “Zoti ynë, na jep të mira në këtë botë!” Ama këta nuk kanë ndonjë të mirë në botën tjetër.[2] Ka edhe nga ata që thonë: “Zoti ynë na jep të mira në këtë jetë dhe në jetën tjetër e na ruaj prej dënimit të Zjarrit!”[3] Këta do ta kenë pjesën e tyre për veprat që kanë bërë.” (El-Bekare, 200-202)

Ndër argumentet e ekzistencës së Zotit janë edhe shenjat dhe mrekullitë që Zoti zbulon përmes duarve të profetëve, që thyejnë ligjet e natyrës dhe janë dëshmi të pakontestueshme. Gjithashtu, edhe ato me të cilat Ai i nderon dhe i mbështet në këtë botë, duke u dhënë përfundim të lavdishëm, duke poshtëruar armiqtë e tyre e duke i ndëshkuar në mënyra të ndryshme.

Këto janë përcjellë brez pas brezi në formën më të besueshme të mundshme, ndaj dhe secili ka njohuri për to. Shenjat dhe mrekullitë e profetëve, si dhe keramatet me të cilat Zoti i nderon ata, i ka përcjellë çdo epokë e brezni, saqë tani konsiderohen si prova më të mëdha se Dielli e Hëna. Të gjitha janë prova për ekzistencën e Zotit, për pushtetin e Tij madhështor, për fuqinë e Tij absolute, për gjerësinë e dijes dhe urtësisë.

Të tjera dëshmi të mëdha që tregojnë për njëjësinë e Zotit janë Librat dhe dispozitat madhështore që u zbriti profetëve në përgjithësi, ku njerëzit gjejnë mirësinë e drejtësinë; përmes tyre rregullohet feja/besimi dhe përmirësohet jeta, sidomos Kurani, që i zbriti Muhamedit, vulës dhe prijësit të tyre. Në Kuran ka aq shumë dëshmi e mrekulli, saqë është e pamundur të tregohen e të përshkruhen me fjalë. Mrekullitë e tij janë aktuale në çdo kohë dhe sfidojnë të gjitha kategoritë e njerëzve, saqë është provuar paaftësia dhe tërheqja e tyre para kësaj sfide.

Ne do t’u tregojmë atyre shenjat Tona në hapësirat tokësore e qiellore, si dhe te vetë ata, derisa t’u bëhet plotësisht e qartë se ai (Kurani) është e vërteta.” (Fussilet, 53)

Ne ta zbritëm Librin si shpjegim për çdo temë, si udhëzim, mëshirë dhe sihariq për muslimanët.” (En-Nahl, 89)

Ai që përqendrohet tek ato që përmban Kurani, si lajmet/tregimet e vërteta, vendimet e drejta, dispozitat e përpikta, përmirësimin e përgjithshëm, sigurimin e gjërave të dobishme (të fesë dhe të dynjasë), evitimin e gjërave të dëmshme, detyrohet të pranojë se është Zbulesë prej të Urtit, të Lavdishmit, Zotit Fisnik.

Gjithashtu, ai që shikon legjislacionin e plotë që solli i Dërguari, fenë e vërtetë dhe rrugën e drejtë, do të detyrohet – qoftë dhe vetëm prej një pjese të saj, pa folur për të gjithën –  të pranojë se është vetëm një Zot, që e ka shpallur atë. Zot është i Madh dhe i Urtë në ligj e në fe, siç është i Urtë në krijimin dhe drejtimin e çështjeve.

Një tjetër provë që vërteton se ka vetëm një Zot është fakti se natyra dhe mendja janë të shtrënguara ta njohin krijuesin e tyre, të pranojnë se ka vetëm një Zot; se krijesat janë të brumosura ta kërkojnë atë që është e dobishme dhe të shmangin atë që është e dëmshme. Është e kuptueshme për çdo mendje se nevoja e njeriut për Krijuesin/Zotin e vet është më e madhe se çdo nevojë tjetër; domosdoshmëria që ndjen për Të i kapërcen të gjitha domosdoshmëritë.

Njeriu është i shtrënguar të dijë se Krijuesi i tij është Një, Zotëruesi i tij është Një, Ai që e mban në jetë është Një, Ai që i dhuron gjërat e dobishme është Një.

Kjo është natyra fillestare me të cilën i pajisi Allahu njerëzit. Kjo është feja e drejtë.

Nga kjo natyrë e pastër parake janë larguar vetëm ata që ka përvetësuar djalli, natyra e pastër e të cilëve është ndryshuar përmes besimeve të dëmshme, fantazive që të humbin, koncepteve të këqija dhe teorive të gabuara.

Sikur të mbeteshin në natyrën parake, ata nuk do të anonin drejt dikujt tjetër veç Zotit të tyre. Atij do t’i drejtoheshin për të arritur atë që është e dobishme dhe për të evituar atë që është e dëmshme. Vetëm tek Ai do të ktheheshin për sa i takon adhurimit dhe nënshtrimit.

I Dërguari ka thënë: “Çdo fëmijë lind me natyrë të pastër, por prindërit e tij e kthejnë atë ose në hebre, ose në të krishterë, ose në adhurues të zjarrit. Pikërisht si kafsha që lind të voglin e saj pa asnjë të metë. A mos e gjeni atë të damkosur?!”[4]

Tregues tjetër se Zoti është Një dhe Bujar është ajo që njihet dhe ndodh gjatë fatkeqësive të papritura, gjë që është aq e shpeshtë sa nuk mund të llogaritet: Allahu i nderon (shpëton) ata që mbajnë lidhjet me farefisin, ua shpërblen shpejt (në këtë jetë)  bamirësinë që bëjnë ndaj atyre që janë në vështirësi ekonomike, ua kompenson atyre që shpenzojnë për hir të Tij ndaj njerëzve në nevojë, u hap atyre portat, shkaqet dhe rrugët e suksesit, pikërisht ngaqë ata e kanë bërë bamirësinë në vendin e duhur.

Njerëzit e dinë se kjo ndodh për shkak të këtyre veprave të mira. A nuk të jep mundësi kjo të kuptosh se Allahu është Ai që kujdeset për furnizimin e çdo gjallese; se ky është një shpërblim i shpejtë dhe i tanishëm, si dhe një provë dhe shembull për shpërblimin në ahiret?

Raste të tilla nuk mund të numërohen dhe askush nuk i vë në diskutim. Njerëzit kanë parë çudira në këtë drejtim.

Nga ana tjetër, kemi ndëshkimet që Allahu ua përshpejton mizorëve, zullumqarëve dhe keqbërësve për shkak të veprave të tyre të këqija. Ndëshkime të tilla njerëzit i shohin drejtpërdrejt dhe e dinë pa asnjë dyshim se ato janë për shkak të vepra të tyre të këqija.

Pra, ai që mediton dhe dëgjon për ato që ndodhin, për ligjin e Zotit për sa i takon trajtimit të krijesave dhe kupton lidhjen mes tyre dhe shkaqeve të mira apo të këqija, do të kuptojë gjithashtu se Zoti është Një, i Vetëm; do të kuptojë përsosmërinë e drejtësisë dhe gjerësinë e mirësisë së Tij. Si rrjedhojë, pa dyshim që do kuptojë edhe ekzistencën e Tij dhe domosdoshmërinë e kësaj Ekzistence.

Kjo sepse çdo gjë që tregon për një cilësi apo vepër të Tij, njëkohësisht vërteton edhe Qenien e Tij, domosdoshmërinë e ekzistimit të Tij; kupton se bota qiellore dhe tokësore varen prej Tij për sa i takon ekzistencës, vazhdimësisë, ruajtjes/mbrojtjes dhe mbështetjes në çdo gjendje.

Po ashtu, kupton se rrugët dhe mundësitë përmes të cilave njeriu mund të njohë Zotin janë të gjithanshme, në përputhje me nevojën e krijesave dhe me domosdoshmërinë që kanë. Secili e shpreh në mënyrën e vet: në mënyrë të plotë apo të pjesshme, në varësi të rrethanave në të cilat ndodhet dhe në varësi të çështjeve prej të cilave dominohet. Përndryshe, çdo gjë që i bie ndërmend njeriut, çdo gjë që i shohin sytë, çdo gjë që i kapin shqisat, çdo gjë e lëvizshme apo e qetë përbën dëshmi se Zoti është Një, i Vetëm.

Gjithandej ka shenja për Të,

që vërtetojnë se Ai është Një.

Mirëpo disa gjëra të thjeshta e të veçanta i rrok më shpejt mendja, i kupton zemra dhe dobia është e menjëhershme, ngaqë i karakterizon thjeshtësia dhe intuita i kap lehtësisht, vetëkuptohen.

Do të përmendim disa përshkrime të kësaj natyre, të disa njerëzve që kanë jetuar më parë dhe të ditëve tona.

E pyetën njërin: “Me çfarë e njohe Zotin tënd?”

Ai tha: “Bajga është tregues për devenë, gjurma tregon për udhëtarin. Po qielli me yjet? Po toka me malet? Po detet plot dallgë a nuk dëshmojnë se ka një Krijues të Mëshirshëm e të Gjithëdijshëm?!”

Disa ateistë u takuan me njërin prej dijetarëve, me gjasë Ebu Hanifen, dhe e pyetën:

“Cila është dëshmia se ka një krijues?

– Më falni pak, sepse jam i preokupuar me një çështje të çuditshme!

– Ç’është ajo? – e pyetën ata.

– Kam marrë vesh se në lumin Tigër, një anije e madhe plot me mallra të ndryshëm vjen e shkon vetë, pa e drejtuar dhe komanduar askush!

– A je i marrë?!

– Përse i marrë?

– Se këtë nuk mund ta besojë një njeri normal! – thanë ata.

– Atëherë si ka mundësi që mendjet tuaja besojnë se kjo botë, me çdo gjë që ndodhet brenda saj, me dukuritë e çuditshme dhe me trupat qiellorë që lundrojë, lëvizin dhe ekzistojnë pa pasur një shpikës që i vë në lëvizje?!”

E pyetën dikë se si e kish njohur Zotin.

Ai qe përgjigjur: “Fara që hedh burri në mitër, të cilën Zoti e zhvillon duke e kaluar nëpër disa faza: së pari duke e shndërruar në gjak të mpiksur, pastaj në një copë mishi, deri në fazat e fundit, duke e kthyer në njeri të plotë, me gjymtyrë të përkryera, të brendshme e të jashtme; me dëgjimin me të cilin kap zërat, dy duar me të cilat punon, dy këmbë me të cilat ecën; me rrugët përmes të cilave ushqen trupin dhe përfiton dobi; me rrugët përmes të cilave nxjerr gjërat e dëmshme (jashtëqitjet). Njeriu është krijuar në këtë trajtë kaq të mahnitshme, saqë sikur të bëhen bashkë të gjitha krijesat, prej të parit e deri tek i fundit nuk do të mund të krijonin qoftë dhe një organ të vetëm, sepse nuk kanë as dije dhe as fuqi që të bëjnë diçka të tillë. A nuk është kjo një dëshmi për ekzistencën e Krijuesit, Madhështinë dhe Krenarinë e Tij?!

Vargu që trajton fazat e krijimit është përmendur disa herë në Kuran me formulime të ndryshme.[5]

E pyetën dikë: “Si arrite ta njohësh Zotin tënd?!”

Ai u përgjigj: “Përmes dobësimit të vullnetit!”

Kjo nënkupton se njeriu, me raste, ka vullnet të palëkundur për të bërë diçka dhe nuk ka asnjë fije dyshimi, por pastaj vullneti dhe dëshira dobësohen dhe orientohen diku tjetër, dhe në këtë gjendje njeriu arrin një lloj ndriçimi. Kjo ndodhë vetëm për faktin se Allahu është i plotfuqishëm për çdo gjë! I rrotullon zemrat, siç kontrollon edhe trupat. Ai është i butë me robin, sepse e largon nga ajo që është e dëmshme, për t’ia drejtuar zemrën drejt asaj që është e dobishme për të.

Një tjetër, që sërish u pyet për njohjen e Zotit, u gjegj:

“Isha i shqetësuar, iu drejtova Atij me lutje dhe më çliroi nga ajo gjendje. Isha i varfër dhe iu luta, Ai më pasuroi. Isha i sëmurë, iu luta për shërim dhe më shëroi. Isha i humbur, larg udhëzimit, por Ai u tregua i butë me mua dhe më udhëzoi. Këto nuk më ndodhën vetëm mua. Mirësi të tilla janë të panumërta, shihen e preken te robërit e Tij. Pra, ka shumë mirësi të kësaj natyre. Prandaj, a nuk të shtrëngojnë këto ta njohësh Atë dhe të pranosh se Ai është Zoti, Krijuesi, Begatuesi…?!”

Dikush tjetër u pyet se si mund të njihej Allahu.

Përgjigjja e tij ishte kjo: “Përmes asaj që kemi parë ne dhe kanë parë të tjerët në këtë botë: shkatërrimi i keqbërësve dhe përfundimi i tyre poshtërues. Sikurse kemi parë edhe përfundimin e mirë të bamirësve!”

Dikë tjetër e pyetën se me ç’gjë mund të njihet Allahu?

“Me faktin se Ai u siguron mirësitë krijesave bash atëherë kur ato kanë nevojë. Ja, fjala vjen, shiu zbret pikërisht kur ata kanë nevojë dhe pushon së rëni kur ekziston frika se mund të bëjë dëme. Pastaj, pas vështirësisë vjen rrugëdalja. Kërkesat përmbushen pasi shndërrohen në nevojë. Më tej, këto gjymtyrë që ka njeriu dhe forcën, Zoti ia jep hap pas hapi, në përputhje me rrethanat. A është e mundur që kjo të ndodhë rastësisht?! Apo dihet me siguri të plotë se ai që ua ka dhënë ato pikërisht në kohën e nevojës dhe domosdoshmërisë është Zoti, i vetmi që meriton të adhurohet, Sunduesi që synohet.

Kështu, në lidhje me subjektin që po diskutojmë, le të pohojmë edhe se, meqë çështja e njohjes së Allahut është një domosdoshmëri për robërit, për të cilën kanë nevojë në çdo kohë, më shumë se për çdo nevojë tjetër, Allahu e ka lehtësuar duke u hapur robërve shtigje drejt saj; duke na i qartësuar dëshmitë që tregojnë për Të. Nevoja për të nuk është joqenësore/jothelbësore, por domosdoshmëri që e shoqëron njeriun në çdo çast e çdo frymë.

I lutem Allahut që me mirësinë e Tij të na e bëjë të mundur ta njohim e të na dhurojë besim të plotë! Ai është dhurues i madh dhe shumë bujar!

E pyetën dikë se me çfarë njihet Zoti?

Ai tha: “Zoti njihet nga fakti se i mësoi njeriut atë që nuk e dinte. Njeriu doli nga barku i nënës së tij ndërkohë që nuk dinte asgjë; i dhuroi atij mjetet me anë të të cilave arrin te dija dhe ia lehtësoi shkaqet për diçka të tillë. Kështu, ai vazhdoi duke përvetësuar dijet e fesë, derisa arriti në nivelin e një dijetari shembullor; sikurse vijoi të përvetësonte dijet që lidhen me dynjanë, derisa arriti të bëhej aq i zoti sa të krijojë gjëra të jashtëzakonshme. Përveç kësaj, Zoti i lehtësoi njeriut çdo shkak që i mundëson të arrijë deri në këtë pikë. Është domethënëse kur në një fletë të bardhë shkruhet diçka dhe mbushet, që do të thotë se nuk ka më hapësirë për të shënuar diçka tjetër pa fshirë paraprakisht atë çfarë është shënuar… Ndërkohë zemra e njeriut vazhdon të mësojë përmendësh dhe të kuptojë dije dhe njohuri të ndryshme, saqë sa më shumë zgjerohen dijet e tij, aq më shumë i forcohet kujtesa dhe rritet niveli i intelektit! A mund të jetë e gjithë kjo në forcën dhe mundësinë e njeriut?! Apo këto janë prova më e madhe që dëshmon për madhështinë dhe njëjësinë e Tij, për përsosurinë dhe gjerësinë e mëshirës së Tij?!”

Si e njohe Zotin?

Ja, kjo bërthamë që mbjellin njerëzit, prej së cilës bëhet palma, që jep fruta madhështore e njerëzit përfitojnë prej saj. Kësisoj edhe fara që hidhet në tokë, prej së cilës mbijnë drithërat (gruri, elbi, tërshëra, thekra etj.), të cilat përbëjnë bazën ushqimore për njerëzit. Pastaj kjo mbjellje dhe produkti që japin ndodh çdo vit!

A nuk është kjo prova më e madhe që dëshmon për ekzistencën dhe fuqinë e Allahut, për kujdesin dhe mëshirën e Tij?

Këtë fakt të rëndësishëm, Zoti na kujton në disa vende në Kuran, si, për shembull: “Me të vërtetë, Allahu është Ai që farën dhe bërthamën e bën të mugullojë.” (El-En’âm, 95)

A e shihni atë që mbillni? Vallë, ju e bëni atë që të mbijë apo jemi Ne rritësit e saj?!” (El-Uâki’a, 63-64)

Njërin, që kish besuar Muhamedin si profet, e pyetën përse e bëre?

“Nuk kam parë të ketë urdhëruar diçka e mendja të thoshte sikur të mos e kish urdhëruar! Dhe as ka ndaluar diçka e mendja të thoshte sikur ta kish urdhëruar!”

Pra, ky njeri, përmes dritës së mendjes dhe zgjuarsisë ka arritur të provojë sa ai është i Dërguar i vërtetë, se ajo që ka sjellë ai është e mirë dhe përputhet me mendjen e shëndoshë dhe urtësinë.

Një njeri të mençur e pyetën se në ç’mënyrë mund ta njohim Zotin?

Ai tha: “Duke shijuar ëmbëlsinë e adhurimeve.”

Ky është një konkluzion i provuar nga argumentet dhe intuita, gjë që e shtyn njeriun të përsosë besimin dhe të shtojë bindjen. Nëse gjen ëmbëlsinë e imanit, shijon ëmbëlsinë e bindjes, gjë që provon se ke arritur nivelin më të lartë të imanit.

Si mund të njihet Zoti? – u pyet një tjetër.

“Përmes rregullit dhe harmonizimit të shkaqeve, ndryshimit të tyre dhe pengimit të efektit të tyre. Ndërkohë, Zoti i ka krijuar disa gjëra pa shkaqe të kuptueshme për njerëzit.”

Kjo është e vërtetë, sepse Zoti ka bërë që gjërat të ndodhin sipas një rendi shkak-pasojë dhe në përputhje me kaderin dhe ligjin sheriatik, shoqëruar nga një urtësi e jashtëzakonshme. Ndërkohë që në disa raste ka penguar atë që është rrjedhojë e disa shkaqeve, siç është rasti me mrekullitë e profetëve dhe kerametet e evliave (njerëzve të devotshëm).

Po ashtu, ekzistojnë edhe shumë gjëra që kanë ardhur në ekzistencë pa pasur një shkak të zakonshëm, siç është krijimi i Isait, me nënë e pa baba; ardhja e Jahjas nga dy prindër të moshuar, që në kushte normale nuk mund të lindin fëmijë. Ka edhe shumë gjëra të tjera të kësaj natyre, që njerëzit të kuptojnë se administrimi dhe mbarështimi absolut i takon vetëm Atij. Njësoj siç administron ato gjëra që janë të lidhura me shkaqe të njohura, administron dhe ato shkaqet e të cilave nuk njihen.

Prandaj shumica e këtyre të fundit janë mrekulli të profetëve dhe kerametet e njerëzve të devotshëm, dëshmi këto që provojnë se Allahu është Një dhe i Vetëm, se vetëm Ai duhet adhuruar, siç provojnë se Ai është Zoti dhe Krijuesi i çdo gjëje.

Si mund ta njohim Zotin? – u pyetën disa njerëz.

“Nëse shikon mjetet e jetesës, pastaj shqyrton gjendjen e atyre që kanë asete, pasuri të paluajtshme dhe rendimente të larta, mirëpo duke qenë se janë mbështetur te këto, u janë ngushtuar punët, janë zhytur në borxhe dhe punët u kanë vajtur jo ashtu siç kanë pritur e shpresuar!

Nga ana tjetër, sheh shumë njerëz që nuk kanë pasuri të paluajtshme dhe as rendiment, por përmbushin vetëm disa shkaqe të rëndomta, ndërkohë që Allahu i ka begatuar dhe ua ka shtuar mjetet e jetesës (riskun).”

Kjo për faktin se zemrat e tyre janë gjithherë të lidhura me mirësitë që ndodhen te Zoti, duke shpresuar se Ai do t’ua lehtësojë rrugët e riskut, duke iu mbështetur Atij në mënyrë të palëkundur.

Kësisoj njihet Zoti dhe kësisoj kupton se e gjithë çështja i përket Atij.

Po ashtu, shikojmë edhe atë që është i fortë, që ka bërë bashkë mes forcës dhe inteligjencës dhe përpjekjes këmbëngulëse (të pandërprerë), ndërkohë që riskun e ka të kufizuar, i është dhënë pak. Nga ana tjetër, sheh tjetrin që është i dobët e kokëgdhe, që nuk ka as një të njëqindtën e forcës e mençurisë së të parit, ama Zoti i ka dhënë shumë dhe ia ka lehtësuar punët.

Kjo është diçka që shihet e preket, gjë që njeriun e mençur e detyron të pranojë se Allahu është Një, i Vetëm, i Cili kujdeset për çdokënd për sa i përket asaj që fiton.

Një tjetri i thanë: “Si ta njohim Zotin?”

Ai u përgjigj: “Me ndryshimin e ditëve te njerëzit: me raste i ngre dhe i bën krenarë, me raste i poshtëron; në raste të tjera i pasuron e ndonjëherë i varfëron, me apo pa shkaqe.”

Një tjetri i thanë: “Me çfarë mund të njihet Zoti?”

“Përmes këtij vargu nga Kurani: “Nuk ka asnjë gjallesë në Tokë që të mos i ketë mjetet e jetesës prej Tij.” (Hûd, 6)

Vërtetësinë e kësaj mund ta shohim te fakti se Zoti ia ka lehtësuar secilit mjetet përmes të cilave siguron jetesën: dikujt përmes tregtisë, dikujt me zanat, një tjetri përmes bujqësisë, tjetrit përmes shërbimeve që ofron, tjetrit me anë të asaj që ka trashëguar nga të parët, dikujt tjetër përmes blegtorisë, dikujt nëpërmjet bamirësisë së të tjerëve, një tjetri përmes mundit të të tjerëve… Pra, përmes këtyre e shkaqeve të tjera që i ka përcaktuar i Gjithëfuqishmi, i Urti.

Lartësuar e madhëruar qoftë Ai, begatitë e të Cilit arrijnë edhe te insektet më të imëta në tokën djerrë e në errësirat më të thella!

Të gjitha këto përgjigje, në tërësinë edhe veçantinë e tyre janë të sakta, gjë që e detyrojnë çdo mendje të pranojë Zotin e vet, se Ai është Një, i Vetëm.

Në fakt, këtyre përgjigjeve mund t’u shtohen mijëra të tjera.

Nëse shikon në mënyrë të përgjithshme botën qiellore e tokësore, madhështinë e këtyre krijesave, rregullin e mahnitshëm që mbizotëron, mirësitë dhe interesat për botën dhe krijesat që paraqiten si pasojë e kësaj, kupton se kjo botë ka një Zot të madhështor, një Sundues e Mbret të madh, që është i Plotfuqishëm dhe i Plotpushtetshëm. Atij i nënshtrohet i gjithë kozmosi dhe çdo krijesë. Ai i zotëron të gjithë njerëzit. Kupton, gjithashtu, se këto shenja dhe të tjerat që u shkojnë pas janë të kontrolluara dhe të drejtuara prej Tij.

Pastaj nëse shikon çdo krijesë në mënyrë të veçuar dhe mendon rreth fillimit të krijimit të saj, rreth cilësive të tjera të saj, shikon gjendjen dhe fazat nëpër të cilat kalon, gjë që të bën të arsyetosh se ajo ka një Zot që e drejton; siç tregon se gjendja e saj, duke përfshirë ekzistencën dhe cilësitë nuk i ka nga vetvetja, por falë krijimit të Zotit, Drejtuesit, Mbretit të urtë.

Nëse mediton rreth gjendjes tënde, rreth cilësive të trupit tënd, atyre të brendshme e të jashtme, atyre që rroken me shqisa dhe atyre që kapen nga mendja, kupton pa asnjë dyshim se ti je krijesë, një rob i varfër dhe nevojtar për Zotin tënd në të gjitha çështjet: i varfër dhe nevojtar për sa i takon krijimit, i varfër dhe nevojtar për forcë, mend e risk; i varfër dhe nevojtar për të të ruajtur dhe për të vazhduar ekzistenca jote; i varfër dhe nevojtar për sa i takon fillimit dhe përfundimit tënd.

Mandej, nëse kundron gjërat e jashtëzakonshme, mrekullitë e profetëve dhe kerametet e evliave, të cilat është e pamundur të llogariten, kupton madhështinë e Krijuesit, se Ai cakton dhe vendos, se Ai është shkaktari i shkaqeve, Zoti dhe Zotëruesi i çdo gjëje.

Po ashtu, nëse mendon për përgjigjet e shumta që marrin lutjet e atyre që luten, largimi i të këqijave prej atyre që ndodhen në vështirësi, ndihma dhe mbështetja që marrin njerëzit e pikëlluar, gjë që është shumë e shpeshtë dhe nuk mund të llogaritet, detyrohesh të pranosh se Ai është Krijuesi, i vetmi Zot.

Më tutje, nëse përqendrohesh te ndikimi i Tij në jetët e njerëzve: drejtësinë që mundëson, mirësitë, përshpejtimin e shpërblimit për punëmbarët dhe ndëshkimin e keqbërësve, mund të kuptosh se këto janë dëshmi të prekshme, prova që shihen, që dëshmojnë se Allahu kujdeset për çdo gjë që fitojnë njerëzit. Ai do t’i japë secilit atë që meriton në përputhje me punët që ka bërë.

Nëse mendon rreth fesë dhe dispozitave të shpallura, të mirat e shumta që ndodhen në to, përmirësimi dhe mirësitë që duken qartë, si dhe përfundimet e mira që sjell, gjë që përmirëson besimin, moralin, sjelljen, veprat, këtë jetë dhe fetarinë e njeriut. Kjo Fe ka themele të forta, parime të qëndrueshme. Sikur të gjithë njerëzit e mençur të çdo shoqërie të bëheshin bashkë për të sjellë diçka të ngjashme për sa i takon përmirësimit të gjendjes dhe jetës së njerëzve, nuk ka gjasa t’ia dalin mbanë.

Nuk ka pasur dhe nuk do të ketë dije/shkencë të saktë/vërtetuar që kundërshton dhe nuk përputhet me lajmet e fesë. E vërteta është se në tërësi feja pajtohet me mendjen, madje ka hollësira që mendjet e kanë të pamundur të udhëzohen drejt tyre, përveçse nëpërmjet porosive dhe udhëzimeve të saj.

Ti je dëshmitar i dispozitave të saj që lidhen me kapitullin e ibadeteve, të muamelateve etj., mirësitë/dobitë, drejtësinë dhe përmirësimet e ndryshme që ndodhen në të… Siç je dëshmitar se çdo dobi e përmirësim që ka ekzistuar dhe ekziston, parimet dhe bazat i ka në këtë fe.

Kështu kupton se kjo fe është mburojë për njeriun dhe i garanton imunitet nga çdo e keqe dhe dëm. Kupton njëjësinë e Allahut në emrat, cilësitë dhe veprat e Tij; se Ai ka shpallur dispozitat e Ligjit të Tij të shtrenjtë e të lavdishëm.

Kur ti njihesh me shumë ngjarje për të cilat na ka njoftuar Allahu dhe i Dërguari i Tij, që njerëzit i kanë parë të ndodhin, bash ashtu siç na ka njoftuar Allahu dhe i Dërguari i Tij, kjo të udhëzon të pranosh Allahun, madhështinë e Tij, përsosurinë e pushtetit dhe madhështisë së Tij.

Të gjitha këto janë dëshmi të domosdoshme logjike, fakte të pakontestueshme që provojnë ekzistencën e Allahut, domosdoshmërinë dhe njëjësinë e Tij. Në fakt, kjo është e vërteta më e pamohueshme ku pajtohen të gjitha mendjet e shëndosha dhe natyrat e pastra. Të gjitha këto janë vetëm disa sinjale/shenja, sepse po të zgjeroheshim do të mbusheshin vëllime të tëra.

Besimtarit i shtohet imani përmes këtyre dëshmive logjike. Gjithsesi, në thelb, atij i mjaftojnë  ato që ka sjellë Allahu dhe i Dërguari i Tij. Ai beson pa asnjë mëdyshje se askush nuk është më i besueshëm se Allahu në ato që thotë e rrëfen.

O Zoti ynë, ne dëgjuam një thirrës që na ftonte në besim: “Besoni Zotin tuaj!” Dhe kështu besuam.” (Âl Imrân, 193)

Zoti ynë, ne besojmë atë që na ke shpallur dhe ndjekim të Dërguarin. Na shkruaj, pra, bashkë me dëshmitarët!” (Âl Imrân, 53)

Mendja e mbështet Ligjin e Zotit, e pranon se është i përsosur dhe udhëzues; se nevoja e saj për të është jetike. Besimtari plotësohet me udhëzimet e tij dhe gjen rrugën me dritën e këtij Ligji. Mendja nuk mund ta shohë dritën e vërtetë dhe nuk mund të drejtohet në rrugën e drejtë përveçse me anë të fesë, Ligjit që ka shpallur Zoti. Prandaj, Zoti i përsërit shpesh fjalët: “Sigurisht këtu ka shenja për njerëzit që mendojnë.” (Er-Rûm, 24)

Domethënë, Zoti na urdhëron të mendojmë dhe të shqyrtojmë ajetet/shenjat e Tij që shihen dhe janë të dëshmuara.

 

Autor: Abdurrahman ibn Nasir Es-Sa’dij

Përktheu: Blerim Krasniqi

 

 


[1] Ose: “Vallë, si mund të dyshohet në Allahun?!”

[2] Disa njerëz kanë si preokupim kryesor vetëm jetën e kësaj bote, ndaj dhe kur luten, thonë: “Zoti ynë, na jep shëndet, pasuri dhe fëmijë në këtë botë!” Këta nuk do të kenë asnjë pjesë të shpërblimit në botën tjetër, sepse janë dhënë vetëm pas kësaj bote dhe nuk e duan botën tjetër. (Et-Tefsî El-Mujeser)

[3] Ka edhe besimtarë që luten duke thënë: “Zoti ynë, na jep në këtë jetë shëndet e mirëqenie, risk, dije të dobishme, vepra të mira dhe mirësi të tjera që kanë të bëjnë me fenë dhe jetën e kësaj bote! Ndërsa në botën tjetër na jep xhenetin dhe largoje prej nesh dënimin e zjarrit!” Kjo konsiderohet një prej lutjeve më përmbledhëse, ndaj dhe Profeti e praktikonte më shpesh se çdo lutje tjetër, siç është vërtetuar te Sahîh-u i Buhariut dhe i Muslimit. (Et-Tefsî El-Mujeser)

[4] Buhariu, nr. 13598; Muslimi, nr. 2658.

[5] “Me të vërtetë, Ne e kemi krijuar njeriun prej palcës së baltës, e pastaj, e bëmë atë pikë fare dhe e vumë në një vend të sigurt (mitër). E mandej, pikën e farës e bëmë droçkë gjaku, e pastaj e bëmë copëz mishi pa formë; mandej, me atë mish bëmë eshtrat, pastaj i veshëm eshtrat me mish dhe pastaj e bëmë atë krijesë tjetër (duke i futur shpirtin). Qoftë lartësuar Allahu, Krijuesi më i përsosur!” (El-Mu’minûn, 12-14) “O njerëz, nëse dyshoni për ringjalljen, mendoni njëherë se si ju krijuam prej dheut, pastaj prej pikës së farës, pastaj prej droçkave të gjakut, mandej prej një cope mishi me trajtë të formuar ose të paformuar, në mënyrë që t’jua bëjmë të qartë! Atë që duam Ne e mbajmë në mitër për një afat të caktuar, mandej ju nxjerrim si foshnje dhe pas kësaj arrini moshën e pjekurisë. Disa prej jush vdesin e disa jetojnë deri në pleqëri të thellë, aq sa nuk dinë më asgjë nga çfarë dinin më parë. Ti e sheh tokën të thatë, por, kur Ne lëshojmë ujë mbi të, ajo nis të lëvrijë e të gufojë, dhe kështu mbijnë lloj-lloj bimësh të mrekullueshme.” (El-Haxhxh, 5)