Shembulli i parë

Bashkëbisedimi mes një burri mëkatar dhe shokut të tij të sinqertë

Një person i kishte kaluar kufijtë, dhe kishte marrë mjaftë kurajo për të bërë mëkate. Atij iu drejtua shoku i tij, me këshillë dhe bashkëbisedim duke i thënë:

Këshilluesi: A nuk po frenohesh ndaj të vepruarit të këtyre gjërave? A nuk po pendohesh dhe kthehesh te Zoti yt? A nuk e di se Ai i ndëshkon rëndë mëkatarët?

Mëkatari: më le të kënaqem me atë që dua; sepse po të dëshironte Allahu do të më udhëzonte, nëse Ai do të dëshironte diçka tjetër për mua nuk do të më joshte për t’i vepruar këto gjëra.

Këshilluesi: me këtë arsyetim të rrejshëm, vetëm se shtohet gabimi yt, vetëm se shumëfishohet mëkati yt, sepse Allahu nuk të ka joshur në këtë; por ai që të ka joshur është shejtani, ndërsa shpirti yt urdhërues në të keqën, i është dorëzuar atij, siç thotë shejtani duke iu drejtuar Zotit të tij:

قَالَ فَبِعِزَّتِكَ لَأُغۡوِيَنَّهُمۡ أَجۡمَعِينَ٨٢ إِلَّا عِبَادَكَ مِنۡهُمُ ٱلۡمُخۡلَصِينَ٨٣

“Ai tha: “Betohem në madhërinë Tënde se unë do t’i josh në mëkate ata të gjithë, përveç robërve të Tu të sinqertë!” (Sad, 82,83).

Pra shejtani të thirri në mëkate, kurse ti iu përgjigje, ndërsa Allahu të thirri në udhëzim, kurse ti e kundërshtove. Allahu të sqaroi lumturinë dhe rrugën e saj, t’i lehtësoi shkaqet e saj dhe të inkurajoi drejt saj. Allahu ta bëri të qartë rrugën e mëkateve dhe të paralajmëroi nga ndjekja e saj dhe pasimi i hapave të shejtanit. Allahu të njoftoi për pasojat e mëkateve, pra për dënimin e ashpër, ndërse ti u pajtove me to, zëvendësove udhëzimin me devijim, lumturinë me vuajtje dhe mjerim. Ai të dha mundësinë dhe dëshirën për veprim: me të cilat ti zgjedhë vet, dhe me to mund të arrish çdo gjë që dëshiron. Allahu nuk të ka shtyrë në mëkate, as nuk të ka ndaluar nga veprat e mira, ndërsa ti e ndoqe rrugën e mashtrimit dhe braktise rrugën e udhëzimit, prandaj mos e fajëso askënd tjetër pos vetes.

A nuk e ke dëgjuar se çfarë u thotë thirrësi (shejtani) në ditën e gjykimit pasuesve të tij, duke iu drejtuar me fjalët:

وَقَالَ ٱلشَّيۡطَٰنُ لَمَّا قُضِيَ ٱلۡأَمۡرُ إِنَّ ٱللَّهَ وَعَدَكُمۡ وَعۡدَ ٱلۡحَقِّ وَوَعَدتُّكُمۡ فَأَخۡلَفۡتُكُمۡۖ وَمَا كَانَ لِيَ عَلَيۡكُم مِّن سُلۡطَٰنٍ إِلَّآ أَن دَعَوۡتُكُمۡ فَٱسۡتَجَبۡتُمۡ لِيۖ فَلَا تَلُومُونِي وَلُومُوٓاْ أَنفُسَكُمۖ مَّآ أَنَا۠ بِمُصۡرِخِكُمۡ وَمَآ أَنتُم بِمُصۡرِخِيَّ إِنِّي كَفَرۡتُ بِمَآ أَشۡرَكۡتُمُونِ مِن قَبۡلُۗ إِنَّ ٱلظَّٰلِمِينَ لَهُمۡ عَذَابٌ أَلِيمٞ٢٢

Dhe, kur të marrë fund puna, shejtani do të thotë: “Vërtet, Allahu ju bëri një premtim të vërtetë. Edhe unë ju premtova, por ju mashtrova. Unë nuk kam pasur kurrfarë pushteti mbi ju. Unë thjesht ju thirra e ju m’u përgjigjët. Prandaj, mos më qortoni mua, por qortoni veten! Unë nuk jam shpëtimtari juaj e as ju nuk jeni shpëtimtarët e mi. Unë tani e mohoj që më bëtë ortak me Allahun (në adhurim).” Vërtet, keqbërësit do të kenë një denim të dhembshëm” (Ibrahim, 22).

Mëkatari: Si mund t’i braktis këto mëkate, kur Allahu është Ai që m’i ka caktuar t’i veproj?! A është e mundur që unë të dal jashtë caktimit të Tij?

Këshilluesi: Po, mund të dalësh, por me caktimin e Tij, sepse pendimi dhe largimi nga mëkatet tua – duke qenë se ti e di pa asnjë dyshim- është nga caktimi i Allahut, prandaj caktimin e Allahut largoje me caktimin e Tij.
Pastaj ti thua se: “Mëkatet e mia kanë ndodhur me caktimin e Allahut”!. Nëse e ke për qëllim kuptimin se: Allahu të ka detyruar t’i veprosh ato dhe të ka penguar t’i veprosh punët e mira, atëherë ti je një gënjeshtar, dhe i pari që e di gënjeshtrën tënde është vetja jote. Sepse ti e di fort mirë se, nëse do të dëshiroje braktisjen e mëkateve nuk do t’i veproje ato, dhe nëse do të dëshiroje me vendosmëri që t’i veproje obligimet do t’i veproje ato. Me dëshirë dhe dashuri more iniciativë për mëkatet, me një vullnet që as ti as të tjerët nuk kanë dyshim në të.

Ti e di se fjala jote: “Mëkatet ndodhin me caktimin e Allahut” është vetëm një shfajësim nga ti, sepse përndryshe, a e pranon këtë arsyetim në vijim:
Nëse të ka bërë padrejtësi dikush, apo të ka sulmuar, ndërsa thotë: jam i arsyetuar me caktimin e Allahut, prandaj mos më fajëso?
A nuk të inatos kjo fjalë e tij, ndërsa ti e di se është duke u tallur me ty?!

Mëkatari: Po gjithsesi; ky është realiteti.

Këshilluesi: Si pajtohesh të sillesh me Zotin tënd – I Cili të ka krijuar, të ka dhënë shumë mirësi- në atë mënyrë që nuk pajtohesh të sillesh me njerëzit?!.

Ndërsa nëse me fjalën “Mëkatet ndodhin me caktimin e Allahut” ke për qëllim kuptimin se, Allahu e ka ditur se unë do t’i veprojë ato, më ka dhënë mundësinë dhe vullnetin për t’i vepruar; dhe se unë jam ai që i kam vepruar mëkatet me mundësitë që Zoti im mi ka dhënë. E di se Allahu nuk më ka detyruar, por unë kam vepruar vetë, unë kam marrë iniciativën për veprim; atëherë, me këtë rast je kthyer në të vërtetën dhe në të saktën, dhe e ke pranuar se Allahu ka argumentin më bindës, që nuk lë asnjë arsyetim për robërit e Tij.

 

Përktheu: Jeton Bozhlani