Argumenti i natyrshmërisë (Fitres)
Fjala natyrshmëri është cituar në shumë tekste të Kuranit dhe hadithit, sikurse në fjalën e Allahut:
“Përqendro veten tënde sinqerisht në fenë, i larguar prej çdo të kote, (e ajo është) feja e Allahut në të cilën i krijoi njerëzit, s’ka zëvendësim të asaj natyrshmërie të krijuar nga Allahu, ajo është feja e drejtë, por shumica e njerëzve nuk e dinë” (Er Rum, 30).
Ajo është përmendur edhe në fjalën e të Dërguaritﷺ :
“Çdo fëmijë lindë në natyrshmëri, ndërsa prindërit e bëjnë që t’i përkas jehudizmit, krishterizmit apo zjarrputizmit”[1].
Qëllimi me fjalën natyrshmëri, në këto citate, sipas dijetarëve të gjeneratave të hershme në përgjithësi është: Islami[2].
Me këtë hadith, nuk është për qëllim që fëmija e njeh Islamin, besimin dhe rregullat e Islamit, por qëllimi është se natyrshmëria e kërkon domosdoshmërisht Islamin. Lidhur me këtë, Ibën Tejmije thotë:
“Kur thuhet se: ai është lindur në natyrshmërinë e Islamit, apo thuhet se është i krijuar në besim të pastër monoteist etj, me këtë nuk është për qëllim se, kur fëmija del nga barku i nënës e njeh këtë fe dhe e dëshiron, sepse Allahu thotë: “Allahu ju ka nxjerrë nga barku i nënave tuaja e ju nuk dinit Asgjë” (Sureja En Nahl, 78), por qëllimi është se natyrshmëria e tij e kërkon në mënyrë të domosdoshme Islamin, kërkon për ta njohur dhe për ta dashur atë. Vetë natyrshmëria kërkon domosdoshmërisht besimin në Krijuesin e saj, dashurinë dhe sinqeritetin ndaj Tij, ndërsa rezultatet e natyrshmërisë vinë një pas një, në varësi të plotësisë së natyrshmërisë, në rast se ajo mbetet e paprekur nga ndonjë kundërshtar eventual[3].
Gjithashtu ai thotë:
“Nëse është vërtetuar se, vetë natyrshmëria kërkon që Allahu të njihet dhe të duhet, atëherë është arritur qëllimi me të, megjithëse natyrshmëria e çdonjërit nuk është e pavarur për ta arritur atë, por shumë prej tyre kanë nevojë për veprimin e shkaqeve të caktuara të natyrshmërisë, në mënyrë që ta arrijnë këtë, sikurse janë: mësimi dhe përvetësimi. Sepse Allahu ka dërguar pejgamberë, ka zbritur libra, ku ata thirrën njerëzit në atë që kërkon vetë natyrshmëria: në njohjen e Allahut dhe teuhidin (njësimin) e Tij. Vetëm në rast se ndodhë të ketë ndonjë pengesë qe e pengon natyrshmërinë, ngase përndryshe ajo i përgjigjet Allahut dhe të dërguarit të Tij, për arsye se në të ekziston kërkesa për atë. Pra është e ditur se, me fjalën e të dërguarit” “Çdo fëmijë lindë në natyrshmëri” nuk është për qëllim se, kur fëmijën e lindë nëna, ai është i ditur rreth Allahut dhe njësues i Tij me mendjen e tij, sepse Allahu thotë: “Allahu ju ka nxjerrë nga barku i nënave tuaja e ju nuk dinit Asgjë” (Sureja En Nahl, 78). Domosdoshmërisht ne e dimë se, fëmija nuk ka njohuri lidhur me këtë gjë (islamin), por lindja e tij në natyrshmëri e kërkon që, natyrshmëria ta kërkojë dhe ta obligojë atë gjë (njohjen e Islamit), në vartësi të plotësisë së saj. Sa më shumë të rezultojë në të (fëmijën) fuqia e dijes dhe dëshirës, për aq rezulton edhe njohja dhe dashuria e saj (natyrshmërisë) rreth Zotit të saj, e cila i përshtatet asaj. Sikurse që ai (fëmija) ka lindur i tillë që e do arritjen e gjërave të dobishme dhe largimin e atyre të dëmshmeve, në varësi të fuqisë së asaj dëshire, pra edhe në këtë rast, me arritjen e rezultatit të natyrshmërisë, arrihet qëllimi, qoftë ai rezultat në vartësi të shkakut të jashtëm apo jo, cilëndo që ta marrim. Mund të ngjajë tek disa (natyrshmëri) që t’u mungojë ndonjë kusht, apo të gjendet në to ndonjë pengesë, gjë që nuk mund të arrihet qëllimi i asaj natyrshmërie[4].
Si përfundim i fjalëve të ibn Tejmijes del se, në natyrshmëri gjenden dy fuqi, të cilat i ndjenë njeriu pashmangshëm, e ato janë: “Fuqia e ditursë dhe fuqia e dëshirës. Fuqia e ditursë e kërkon fuqinë e dëshirës, në rast se eliminohen pengesat eventuale. Ndërsa fuqia e dëshirës përfshinë diturinë rreth asaj që synohet dhe dëshirohet, sepse është e pamundur të kihet dëshirë për një gjë të panjohur. (el Fetaua, 4/32).
Pasqyrimi logjik i argumentit të natyrshmërisë
Rreth ekzistimit të Allahut, është e mundur të argumentohet nëpërmjet pasqyrimit logjik si në vijim:
Premisa e parë: Pohimi se ekziston Zoti, Poseduesi i Përsosmërisë Absolute është dije e pashmangshme për çdo njeri.
Premisa e dytë: Çdo dije e pashmangshme e njeriut, patjetër duhet ta ketë ekzistencën e saj reale jashtë mendjes së njeriut.
Rezultati: Pra, njohuria e pashmangshme e lindur me njeriun rreth ekzistimit të Allahut, poseduesit të Plotësisë Absolute, dëshmon për ekzistimin real të Tij jashtë kornizës së mendjes.
Argumentimi për premisën e parë:
Shkencat eksperimentale të kësaj kohe, kanë konfirmuar se, pohimi për ekzistimin e Krijuesit është dituri e pashmangshme tek çdo njeri, dhe atë nga dy aspekte: Nga aspekti i shkencës së gjenetikës dhe nga aspekti i shkencës së psikologjisë.
Shkenca e gjenetikës
Shkencëtari më i njohur që është marrë me studimin e çështjes së natyrshmërisë është dr. Dean Hamer, një shkencëtar amerikan i gjenetikës, i doktoruar për gjenetikë në Universitetin e Harvardit. Ai është marr shumë me studimin e natyrshmërisë së besimit në Zotin, dhe ka arritur në përfundim se besimi në Zot është i lidhur me fuqinë e gjeneve të njeriut. Ai ka shkruar librin e tij të njohur “The God Gene – How Faith is Hardwired into our Genes” (Gjenet hyjnore-si besimi është i lidhur fort në gjenet tona). Ai pohon se ka gjetur gjenin përgjegjës për këtë besim të lindur, ai është gjeni (VMAT2). Ky libër nuk është shkruar në baza fetare, por edhe vetë autori kategorizohet ne grupin e Agnostikëve.
Shkenca e psikologjisë
Profesori Justin Barret, i doktoruar për Psikologji në Universitetin Cornel, dhe i cili ka punuar në Universitetin Oxford si studiues për një kohë të gjatë, është marrë intensivisht me studime shkencore psikologjike rreth natyrshmërisë njerëzore. Profesori Barret së bashku me kolegun e tij Roger Teryeg –profesor i filozofisë në Universitetin Oxford- kanë udhëhequr një projekt të madh shkencor me 57 studiues nga 20 shtete, rreth natyrshmërisë fillestare së besimit. Si përfundim të studimit të tyre, profesori Teryeg ka shkruar: Kemi mbledhë shumë argumente që vërtetojnë se, feja është një realitet i përbashkët në natyrën e njeriut në shoqëritë e ndryshme[5]. Profesori Barret ka shkruar librin e tij të njohur (Born Believers: The Science of Children Religious Belief) (Besimtarët e lindur-Shkenca e besimit fetar tek fëmijët). Ky libër është bazuar mbi eksperimentet shkencore njëzet vjeçare të autorit. Ai argumentoi me argumente të shumta të bazuara në studime shkencore që dëshmojnë se: fëmijët lindin në natyrshmëri me besim në Krijuesin, dhe se parimet e natyrshmërisë – të cilat i ka mohuar John Lock- ekzistojnë tek njeriu që nga lindja e tij. Rezymeja e librit të tij është siç ka thënë: (Pavarësisht njohurive, dhe pa patur nevojë t’u diktohet imponimi, fëmijët rriten me një shtytje për të hulumtuar rreth kuptimit të rrethit të tyre dhe të kuptuarit e tij. Ndërsa në rast se u jepet hapësirë për t’u zhvilluar mendjet e tyre në mënyrë natyrale, atëherë ky hulumtim i shpie ata në besimin në një botë të krijuar që e ka një qëllim, dhe se një Krijues i urtë e ka krijuar atë, dhe supozojnë se ky Krijues i Synuar ka fuqinë dhe dijen absolute dhe është i pa fillim dhe pa mbarim, dhe se ky Krijues nuk ka nevojë të jetë i dukur apo i trupëzuar sikurse njerëzit. Fëmijët me lehtësi e lidhin këtë Krijues me të mirën morale dhe se, ai është burim i detyrimit për vlerat morale. Këto vëzhgime dhe konstatime kanë vjelur frutat pjesërisht, për shkak të përhapjes së gjerë të besimit në shumë zota me këto cilësi të përgjithshme nëpërmjet kulturave përgjatë historisë[6].
Argumentimi lidhur me premisën e dytë
Argumentimi lidhur me premisën e dytë është argumentim logjik, nga aspekti se, njohjet e pashmangshme është patjetër që të realizojnë atë që kërkojnë jashtë. Faktin se fuqia e lindur e dijes kërkon njohjen e Allahut, e ka përmbledhur Dr. Abdullah el Karni me fjalë të shkëlqyera, ku thotë: “Njohja e Allahut nuk është e llojit të përfytyrimeve të mundshme, por ajo është një përfytyrim i pashmangshëm dhe i detyruar ndaj mendjes. Për këtë nuk ka qenë e mundur të bëhet ndarja në mes të përfytyrimit të ekzistimit të Tij dhe vërtetimit të ekzistimit të Tij siç janë gjërat tjera; sepse përfytyrimi i tyre nuk është i pashmangshëm, por i mundshëm, dhe se nuk është e mundur të parafytyrohet më shumë se një Zot; sepse njohja e Allahut lidhet me diçka specifike, që është i cilësuar me cilësitë e përsosura, ndërsa pashmangshmëria e natyrshme nuk e pranon që tjetërkush pos Allahut të cilësohet me to, sikurse që me natyrshmërinë nuk është e mundur të mangësohen cilësitë e përsosura të pohuara të Allahut, sepse ajo natyrshmëri është e pashmangshme. Ndërsa sikur ajo të ishte e ndërtuar mbi parafytyrim studimi do të ishte e mundur të mangësoheshin me të… Thënë shkurt: ai që i pranon njohjet e natyrshme, patjetër se do të pranojë edhe argumentimin me to për ekzistimin e Allahut; sepse ajo është vetëm një zbulim rreth njohjes së Allahut nëpërmjet saj. Ajo është një njohje që nuk bazohet në argumentim dhe studim, por ajo është një njohje e drejtpërdrejtë, ashtu që ajo kërkohet natyrshmërisht, në të cilën natyrshmëri Allahu i ka krijuar njerëzit. Ndërsa sa u përket atyre që mohojnë njohjet e natyrshme, dhe pohojnë se ekzistimi i Allahut nuk mund të vërtetohet ndryshe përpos me anë të argumentimit me studim, sepse nuk mund të vërtetohet ekzistimi i Allahut vetëm me anë të parafytyrimit të plotësisë absolute; sepse këta pranojnë vetëm parafytyrimin e mundshëm dhe jo atë të pashmangshmin[7].
Më lartë u argumentua nëpërmjet shkencave eksperimentale rreth kësaj njohjeje të pashmangshme dhe jo asaj studimore, sepse këtë njohje të pashmangshme e ka mbjellë Allahu në çdo njeri, sikurse u cek në hadithin profetik. Filozofi i njohur Francez Rene Dekart, duke folur për njohjen e pashmangshme rreth ekzistimit të Allahut, ka thënë: “Pas kësaj nuk ka mbetur tjetër, vetëm se të thuhet se kjo njohje ka lindur dhe ka ekzistuar me mua prej kur jam krijuar, sikurse që me mua ka lindur edhe njohja ime për mua. Në të vërtetë nuk duhet të habitemi me faktin se, kur Zoti më ka krijuar, ka mbjellur në mua këtë njohje, në mënyrë që të jetë si shenjë e natyrshme e Krijuesit në krijimin e Tij.
Rezultati:
Duke u bazuar në këto dy premisa, rezultati ka qenë i qartë se, Allahu është Krijuesi, që e ka krijuar njeriun, e ka krijuar në natyrshmërinë e njohjes rreth Tij, dhe dëshirës për tu drejtuar tek Ai.
[Shkroi Johanes Klominek (Abdullah Suedezi), studiues në Institutin El-Jekin për kritikimin e ateizmit dhe antifetarizmit].
[1] Buhariu (1319), Muslimi (2658).
[2] Shih librin “Et temhid” (72/18)
[3] Der’u Teauril Akli ue Nakli, 8/383
[4] Der’u Teauril Akli ue Nakli, 8/460-461
[5] https://www.telegraph.co.uk/news/politics/8510711/Belief-in-God-is-part-of-human-nature-Oxford-study.html
[6] “Fitretul imani – kejfe ethbetet ettexharib innel atfale juledune mu’minine bilahi (20-21), (Natyrshmëria e besimit- si e kanë vërtetuar eksperimentet se fëmijët lindin besimtarë në Allahun, 20-21)
[7] “El Ma’rifeh fil Islam” 213-215
Përktheu: Jeton Bozhlani