Një vështrim mbi periudhën para shfaqjes së librit të Darvinit “Origjina e specieve” 1859

Ndoshta ndër shenjat (më madhështore) që tregojnë për ekzistencën e Krijuesit të Urtë, Sundimtar, të Gjithëdijshëm, e të Fuqishëm – te të gjithë njerëzimi e të gjithë popujt, të lashtë e bashkëkohorë – janë ato shenja të qarta, që flasin për përsosjen e formimit të gjallesave përreth nesh, duke qenë se ato e kryejnë plotësisht funksionin dhe rolin e tyre që Allahu ka zgjedhur për to në jetë, dhe përshtaten me saktësi e kujdes të madh në mjedisin e tyre të veçantë, në të cilin jetojnë. Edhe njerëzit e mençur e kanë konsideruar këtë fakt – domethënë ekzistencën e një Krijuesi prapa të gjitha këtyre krijesave – ndër aksiomat racionale, nga të cilat nuk devijoi asnjë fe, askund dhe në asnjë kohë, qoftë ajo monoteiste, apo që përmban shirk, apo edhe pagane. Pra, të gjithë e pranojnë ekzistencën e Krijuesit, edhe nëse janë të ndryshëm lidhur me Të!

Me shfaqjen e thirrjeve për shkëputje nga pasojat e fesë në Evropë më shumë se dy shekuj më parë – të cilat u iniciuan nga Revolucioni Francez, për të kërkuar laicizmin si një alternativë ndaj fesë në administrimin e jetës – u përgatit rruga për një pretendim që është më i rrezikshëm sesa thjesht ndarja e fesë nga jeta publike e njerëzve! Realisht u hap rruga për pretendimin që të hiqet vetë Krijuesi!

Nga këtu, në mjedisin evropian filluan të shfaqeshin e të përhapeshin indikacionet e një numri pikëpamjesh materialiste të kulluara, dhe prej andej nëpër botë, pjesa më e madhe e të cilës asokohe ishte në kthetrat e kolonializmit.

Kështu, u shfaq dhe u përhap pikëpamja e “brezit spontan/anomal” (abiogjeneza), edhe pse ishte diçka shumë e çuditshme dhe përplasej me arsyen e shëndoshë (është një pretendim se organizmat e gjallë si: bakteret, larvat e insekteve dhe minjtë mund të formohen nga sende që nuk kanë jetë, si: gjërat e ngurta, mishi i hedhur, mbetjet ushqimore dhe duajt e elbit!) Është një mit që shkencëtari Louis Pasteur më vonë e hodhi poshtë, duke shkatërruar një nga supozimet më të rëndësishme të Darvinit, me të cilin ai argumentoi për mundësinë e teorisë së tij!

Madje Louis Pasteur tha fjalën e tij të famshme, 5 vjet pasi që u publikua libri i Darvinit: “Origjina e specieve”:

“Doktrina e formimit spontan nuk do të shërohet kurrë nga goditja fatale që mori nga përvoja ime e thjeshtë!” – Ka për qëllim pasterizimin dhe sterilizimin.

Gjithashtu, u përhapën disa filozofira dhe ide materialiste çnjerëzore, të tilla si: idetë e ekonomistit britanik, Malthus Thomas, të cilat ai i përhapi në artikullin e tij mbi parimin e popullsisë “Malthus Essay on the Principle of Population”, ku ai tërhoqi vëmendjen drejt asaj se, kur popullsia e botës u la vetëm (pa ndërhyrje): ajo u rrit me shpejtësi! Pikërisht duke u nisur nga kjo – si dhe nga fakti që numri i popullsisë është prekur nga katastrofa si: luftëra, uri dhe sëmundje – ai aprovoi disa ide djallëzore për të hequr qafe numrin më të madh të mundshëm të njerëzve, të varfërve, të dobëtëve dhe nevojtarëve, për të mirën e të tjerëve!

Fatkeqësisht, nga pikëpamje të tilla, Darvini dhe të tjerët që i paraprinë atij, morën idetë e tyre në lidhje me filozofinë e mbijetesës së më të fortit, dhe se prania e përhershme e njerëzimit gjithmonë do të rezultojë në luftëra dhe konflikte për të fituar burimet e jetës dhe ushqimit!

Për shkak të kësaj, në shekullin e nëntëmbëdhjetë ndodhi një nga krimet më të këqija të vrasjes me ritëm të ngadaltë. Kështu, në vend që njerëzit e varfër të këshilloheshin për pastërti, ata u inkurajuan të kenë sjellje të ndyta! Në vend që të merrnin parasysh përmasat dhe dimensionet sanitare në rrugë dhe shtëpi, ato iu minimizuan atyre duke i detyruar të jetonin në to, për të shijuar një jetë të mjerë dhe me sëmundje fatale! Në vend që fshatrat të ndërtoheshin larg kënetave dhe pellgjeve të ndenjura, ato u ndërtuan pranë tyre! Madje as fëmijët e vegjël të moshës nëntë dhe dhjetë vjeç nuk u kursyen nga kjo sjellje çnjerëzore, pasi u shtynë të punonin në minierat e qymyrit për gjashtë orë në ditë, derisa mijëra prej tyre edhe vdiqën!

Për më shumë dokumentacione referoju asaj që u tha te (Agjenda e fshehtë shkencore e nazistëve): Michael J. Behe, Darwin’s Black Box, New York  Free Press, 1996, pp. 232-233.

Gjithashtu, para Darvinit u shfaqën shumë pikëpamje që përpiqeshin të imponojnë shpjegime materialiste për larminë e mrekullueshme të qenieve të gjalla dhe harmonizimin e tyre me mjediset e ndryshme, (pra) larg nga ideja e ekzistencës së Krijuesit, kujdesit, rregullimit dhe krijimit të Tij!

Në mesin e këtyre pikëpamjeve, më të famshmet ishin pikëpamjet e francezit Jean-Baptiste Lamarck, të cilat ai i filloi në vitin 1801, dhe më pas i avancoi në shkrimet e tij të vitit 1815. Ato u përmblodhën në tri interpretime, dhe që të gjitha më vonë u provuan si të gabuara! Kështu, përsëri na bëhet i qartë rrënimi i disa shtyllave tjera, mbi të cilat Darvini e ndërtonte teorinë e tij!

Këto tri interpretime ishin:

  • Efekti i drejtpërdrejtë i faktorëve natyrorë:

Lamarck mendoi se fenomeni i adaptimit fizik (i kufizuar) që Krijuesi ua dha krijesave të Tij për t’u përballur me disa ndryshime rreth tyre, si: disa ndryshime klimatike ose (ndryshimet) në lartësi mbi male etj, (ai mendoi) se me kalimin e kohës dhe me shtimin e tyre – sikur këto të ishin në duart e qenies ose natyrës! – për shembull, do të japin organe të reja, që nuk ishin në organizmin e gjallë më parë, dhe si rezultat i kësaj, pas periudhave të gjata kohore do të dalin gjallesa krejtësisht të reja nga ato paraprake!

Natyrisht, ky konfuzion u zbulua vetëm pas një rruge të gjatë të bërë në shkencat e anatomisë dhe fiziologjisë, kur shkencëtarëve iu bë i qartë ndryshimi midis adaptimit (mikroevolucioni) – i cili është ndryshim i lehtë në të njëjtat karakteristika të qenies, që Zoti fillimisht i vendosi në përbërjen e saj, si alternativa që shfaqen kur është e nevojshme – dhe midis evolucionit dhe shfaqjes së organeve tërësisht të reja (të plota) ose qenieve tërësisht të reja (makroevolucioni); dhe kjo nuk ka ndodhur dhe nuk është dëshmuar deri më sot, as nga fosilet dhe gjurmët e krijesave që kanë jetuar me herët, dhe as me shkencën e gjenetikës, e cila na tregon se secila prej karakteristikave të organizmit më të thjeshtë është një zinxhir i gjatë i kodeve gjenetike në ADN-në që i përket vetëm atij! Andaj, shtrohet pyetja: kush do të deshifrojë, ndryshojë dhe riorganizojë këto kode në ADN-në e qenies, e cila është e izoluar në qelizat e saj të gjalla?! – të cilat vetë organizmi i gjallë nuk mund t’i ndryshojë – e lëre më natyra e verbër – ?!

  • Ndikimi i përdorimit dhe mospërdorimit:

Lamarck pohoi se ndryshimet fizike që ndodhin gjatë jetës së një organizmi të gjallë do të kalojnë te pasardhësit e tij, brez pas brezi! Ai e demonstroi këtë me historinë e tij të famshme hipotetike të një qenieje të ngjashme me një dre; ajo, me kalimin e kohës, zgjati qafën drejt majave të pemëve për të ngrënë frutat që ishin aty. Ky përdorim i tepërt bëri që qafa e saj të zgjatet, dhe pastaj kjo zgjatje e qafës është trashëguar nga brezi në brez, derisa është shfaqur gjirafa që e njohim sot! Po vërejmë se ky interpretim plotëson interpretimin e mëparshëm në punën e tij, por nuk u pranua nga njerëzit e mençur të kohës së tij, qofshin ata shkencëtarë apo njerëz të zakonshëm, përveç Darvinit, për fat të keq! .. Ngaqë njerëzit e dinë se, për shembull, një farkëtar ose një marangoz, edhe pse për shkak të punës me duart e tyre fitojnë forcë muskulore më shumë se të tjerët, megjithatë, asnjë person i arsyeshëm nuk pretendon se këto ndryshime që ndodhin në duart e tyre do t’u kalojnë fëmijëve të tyre, dhe kështu ata do të lindin me duar të forta si baballarët e tyre!  – Kjo njihet si ideja e trashëgimit të tipareve të fituara -.

Një kritikë kaq e thjeshtë do t’u mjaftonte njerëzve nga thellimi i tepërt për të hedhur poshtë pikëpamje të tilla, të cilat qartë synojnë të shfuqizojnë rolin e Krijuesit! Por, përkundër kësaj, shumë shkencëtarë të specializuar kanë marr përsipër që gati një shekull, ta rrëzojnë këtë pikëpamje shkencërisht, praktikisht dhe me eksperimente të provuara: madje edhe para zbulimit të gjenetikës dhe ADN-së!

Ndoshta më i famshmi prej tyre është shkencëtari August Weismann, i cili preu bishtat e dhjetëra minjve për më shumë se 18 breza të tërë, dhe rezultati ishte se çdo herë fëmijët e tyre lindnin me bisht!

Gjithashtu, eksperimenti i famshëm i studiuesve Phillips dhe Castle në vitin 1909, në të cilin ata hoqën vezoren e një derri femër të guinesë (Guinia Pig), e cila ishte me ngjyrë të bardhë, dhe në vend të saj mbollën vezoren e një derri femër të zezë. Pastaj ata fekonduan këtë femër të bardhë me një mashkull derr të bardhë. Megjithatë, brezi që doli ishte i zi, në vend që të ishte me ngjyrë të bardhë, siç ndodh zakonisht! Kjo do të thotë që tipari i ngjyrës është marrë përmes ngjyrës së femrës së zezë, vezorja e së cilës është mbjellë në femrën e bardhë. Kjo tregon që qelizat që mbajnë karakteristikat e trupit janë ato në organet gjenitale – si vezoret në femra dhe testiset tek meshkujt – dhe se nuk barten nga qelizat fizike (trupore) ose ndryshimet që ndodhin në trup!

  • Hibridizimi:

Lamarck kaloi në ekstrem kur supozoi ekzistimin e aftësive imagjinare të hibridizimit, të cilin njerëzit e kanë bërë që nga kohërat antike, midis gjallesave dhe grupeve të përafërta, për të përmirësuar karakteristikat e pasardhësve të tyre, ose për të zgjedhur disa tipare. Kështu, ai pretendoi se ky hibridizim, me kalimin e kohës mund të na jap gjallesa tërësisht të reja, ose të shfaqë organe (gjymtyrë) të reja!

Edhe pse vetë Darvini pranoi në librin e tij se kjo rrugë – domethënë e hibridizimit – është e mbyllur dha se ai s’ka mundësi të shfaqë aftësi të tilla imagjinare. Kjo për shkak se të gjithë organizmat e gjallë, nuk i tejkalojnë tiparet e tyre kryesore duke u kryqëzuar, si rezultat i kufijve të asaj që shkencëtarët e njohin sot si poli gjenetik (Genetic Pole) në secilin organizëm, i cili nëse kalohet tek gjallesat më të largëta, pasardhësit do të vdesin, apo do të jenë të deformuar, apo sterilë (siç ndodh në mushkën sterile, që rezulton nga çiftëzimi i kalit me gomar).

Megjithëse Darvini e dinte këtë, ai zgjodhi të mbështetej tek ajo edhe në ndërtimin e teorisë së tij, me shpresë që e ardhmja – që është ushtari i panjohur i Darvinit – do të vijë me ato gjëra që i supozuan ata!

Por e gjithë kjo u shkatërrua – madje edhe më shpejt sesa që ai shpresonte – nga shkencëtari i gjenetikës Gregor Johann Mendel, i cili i publikoi rezultatet e kërkimeve të tij në të njëjtën kohë kur Darvini e publikoi librin e vet. Megjithatë, ai nuk mori vëmendjen e duhur dhe as nuk u mirëprit në mënyrë të njëjtë me teorinë e evolucionit në atë kohë!

Përmbledhja e këtij kapitulli:

Kjo ishte gjendja shkencore dhe këto ishin idetë mbizotëruese në të cilat Darvini e mbështeti teorinë e evolucionit, për të lënë mënjanë rolin e Krijuesit nga jeta e tij! Këtë e bëri edhe i nxitur nga mungesa e specializimit shkencor në karrierën dhe librat e tij – pasi ai nuk ka arritur të përfundojë studimet e tij shkencore, e as ato fetare – dhe u mjaftua me udhëtime përreth globit duke marr shënime personale në bordin anijes Beagle.

Ai gjithashtu ishte i motivuar nga pikëpamja e tij materialiste për gjërat, si rezultat i asaj që ishte përhapur në epokën e tij prej orientimit të madh drejt sekularizmit, si dhe gjërave me të cilat ai u ballafaqua në jetën e tij, të cilat ia ushqyen këtë prirje të thatë ndaj të Adhuruarit, Zotit dhe Krijuesit; dhe e cila (prirje) filloi tek ai nëpërmjet supozimeve të evolucionit – për të cilat ai pranoi vet se janë të dobëta dhe u mungojnë provat, siç do ta shohim në librin e tij më vonë – derisa teoria e tij, fatkeqësisht, e çoi në fund tek thënia e tij e famshme, të cilën e shënoi historiania darviniste Gertrude Himmelfarb:

“Mohimi i Zotit fillimisht më përshkoi me një ritëm shumë të ngadaltë, por më në fund ishte i plotë!”

Gertrude Himmerfarb, Darwin and the Darwinian Revolution, Elephant Paperbacks, Chicago, 1962, p. 381 Emphasis added.

 

Përktheu: Petrit Perçuku