Shembulli i dytë
Një person erdhi tek një dijetarë dhe i tha:
“Dua që të më udhëzoni me një qartësim përmes të cilit do të më qetësohet zemra dhe do të më bindet shpirti sa i përket çështjes së Kaderit (Caktimit), megjithëse unë, për Allahun, nuk dyshoj se çdo gjë ndodhë me caktimin e Tij; dhe se ajo që dëshiron Allahu patjetër ndodhë, e ajo që Ai nuk e dëshiron, nuk ndodhë – dhe megjithëkëtë – e di se të gjitha veprimet e mia janë me zgjedhjen dhe vullnetin tim, dhe se unë jam ai që i veproj ato. Kjo është një gjë që dihet pashmangshëm, nuk dyshoj në të, dhe mendoj se askush nuk dyshon, por e dua një rrugë e cila do të më udhëzonte tek mënyra se si do të bashkoj mes këtyre dy gjërave (caktimit të Allahut dhe veprimeve të mia).
Dijetari i tha: Përgjigjja bindëse në këtë çështje është si vijon:
Ti pra e di se Allahu të ka krijuar, dhe t’i ka krijuar edhe gjymtyrët e jashtme edhe organet e brendshme; e që kjo është një gjë që ti nuk dyshon në të, as që dyshon në të ndonjë musliman.
Prej organeve të brendshme më madhështore është ai organ me të cilin Allahu të ka bërë që, ta dëshirosh atë që e do, dhe të mos e duash atë gjë që e urren; përveç kësaj Allahu të ka dhënë aftësinë përmes së cilës i realizon të gjitha veprimet që i dëshiron, dhe përmbahesh ndaj asaj që dëshiron ta braktisësh. Ti e pranon këtë fakt dhe nuk dyshon në të; dhe megjithëkëtë, ti e di se, kur me vendosmëri dëshiron ta veprosh një gjë, ndërsa mund ta bësh atë, atëherë do ta veprosh atë gjë pa u hezituar.
Madje edhe lidhur me gjërat që kanë të bëjnë me të ardhmen, të cilat dëshiron t’i veprosh – me vendosmëri të plotë- do të thuash: Do ta bëjë këtë, në dashtë Allahu; siç thotë Allahu:
﴿وَلَا تَقُولَنَّ لِشَاْيۡءٍ إِنِّي فَاعِلٞ ذَٰلِكَ غَدًا٢٣ إِلَّآ أَن يَشَآءَ ٱللَّهُۚ وَٱذۡكُر رَّبَّكَ إِذَا نَسِيتَ وَقُلۡ عَسَىٰٓ أَن يَهۡدِيَنِ رَبِّي لِأَقۡرَبَ مِنۡ هَٰذَا رَشَدٗا٢٤﴾
“Asnjëherë mos thuaj, për çfarëdo gjëje qoftë, se: “Me siguri që nesër do ta bëj këtë” pa shtuar “Në dashtë Allahu!” (El Kehf, 23-24).
Prandaj nëse ti e pranon këtë, pra e pranon se Allahu të ka krijuar, dhe t’i ka krijuar veprimet e gjymtyrëve dhe ato të zemrës; të ka dhënë mundësinë dhe dëshirën, dhe se ti je ai që zgjedhë të veprosh apo të mos veprosh, atëherë ke përmbledhur dy parime:
- Pranimi me bindje se i gjithë caktimi është i Allahut
- Dhe se veprat e tua janë veprim i yt.
Dhe se, nëse Allahu të ka dhënë sukses të veprosh mirë, atëherë kjo është me mirësinë dhe lehtësimin e Tij. E nëse nuk të ka dhënë sukses, por të ka lënë në forcat e tua, atëherë mos e fajëso askënd tjetër pos vetes.
Njohja e këtyre premisave është e lehtë dhe e thjeshtë, dhe me anë të tyre arrin të bindesh plotësisht.
Pra veprimi yt futet në tërësinë e Caktimit të Allahut dhe të krijimit të Tij, sepse Krijuesi i shkakut të plotë është Krijues edhe i rezultatit të shkakut. Shkaku i plotë është aftësia dhe dëshira jote për të vepruar; Allahu është Ai që i ka krijuar ato, ndërsa ti je ai që vepron me to.
Ndërsa paqartësia e cila nuk mund të zgjidhet – për shkak të zhvleftësimit të njërit nga dy parimet – është besimi yt se, ti je i detyruar me imponim t’i bësh veprimet e tua, ndërsa ky është një besim, me të cilin është e pamundur që njeriu të pranoj se: “Veprimet janë të tija”.
Kotësia e kësaj kuptohet në formë të pashmangshme, sikurse edhe është sqaruar më lartë.
Më pas, personi që kërkonte sqarimin tha:
Ju e sqaruat këtë çështje në atë mënyrë që, nuk më mbetet asnjë dyshim në të; e kuptova se Allahu më ka krijuar, si dhe m’i ka krijuar të gjitha cilësitë; gjithashtu ka krijuar shkaqet me të cilat mund të kryej veprimet; dhe se unë jam ai që veproj dhe bindem, nëse Ai më ndihmon me suksesin e Tij. Ndërsa mëkatoj dhe shkujdesem ndaj veprave të mira nëse Ai më lë në forcat e mia.
Dijetari i tha: dua të bëjë dhe një sqarim shtesë lidhur me pyetjen tënde: Allahu tha, lidhur me besimtarët e mirë:
﴿ وَلَٰكِنَّ ٱللَّهَ حَبَّبَ إِلَيۡكُمُ ٱلۡإِيمَٰنَ وَزَيَّنَهُۥ فِي قُلُوبِكُمۡ وَكَرَّهَ إِلَيۡكُمُ ٱلۡكُفۡرَ وَٱلۡفُسُوقَ وَٱلۡعِصۡيَانَۚ ﴾
“Por Allahu jua ka bërë të dashur besimin dhe jua ka zbukuruar atë në zemrat tuaja, ashtu siç jua ka bërë të urryer mosbesimin, shthurjen dhe mosbindjen” (El Huxhurat, 7).
Dhe nuk tha: “Por Allahu u detyroi me imponim të besoni… etj”.
Por meqë e ka ditur gjendjen e shpirtit të njeriut, dhe se shpirti është i padrejtë, i paditur dhe urdhërues për në të keqen, atëherë Allahu është treguar i butë me besimtarët, ua ka bërë të dashur besimin në zemra dhe ua ka zbukuruar atë; prandaj edhe shpirtrat e tyre janë nënshtruar me vepra të mira përmes zgjedhjes së tyre; për shkak të këtyre cilësive të mira që i vendosi Allahu në zemrat e tyre. Ndërsa kur ua bëri të urryer mosbesimin, shthurjen dhe mosbindjen, ata u shmangën nga to, për shkak të urrejtjes ndaj tyre, ndërsa kjo është butësi dhe mirësi nga Allahu.
Ndërsa për të tjerët: nuk ka caktuar hise nga kjo mirësi; prandaj kanë devijuar me zgjedhjen e vet, dhe ata ishin vet shkak për veten e tyre (që të lihen në forcat e tyre). Ngaqë qëllimet e tyre ishin të këqija, sepse Allahu ua shfaqi të mirën, ndërsa e refuzuan atë, në anën tjetër kur ua shfaqi të keqen dhe mashtrimin ata e zgjodhën atë. Prandaj Allahu i la të ndjekin atë që e përzgjodhën, dhe se i gjithë fajësimi dhe qortimi është për ta, ndërsa Allahut i përket argumenti më bindës, pas së cilit nuk ka arsyetim për asnjë nga robërit e Tij:
﴿قُلۡ فَلِلَّهِ ٱلۡحُجَّةُ ٱلۡبَٰلِغَةُۖ فَلَوۡ شَآءَ لَهَدَىٰكُمۡ أَجۡمَعِينَ١٤٩﴾
“Thuaju: “Allahu ka argumentin më bindës dhe, po të donte Ai, të gjithëve do t’ju përudhte në rrugë të drejtë!”.
Të jap dhe një sqarim shtesë:
A nuk e bën dallimin ti dhe çdokush tjetër, mes lëvizjes së atij që ka të dridhura të dorës pa zgjedhjen e vet, dhe lëvizjes së atij që vepron me dorë dhe shkruan me zgjedhjen e vet, dhe ti e di se lëvizja e këtij të fundit është lëvizje e tij në realitet, ndërsa i pari është i shtrënguar të lëvizë; e shembuj të ngjashëm – nga lëvizjet dhe veprimet e këtij lloji- a nuk e bën dallimin mes lëvizjes së zgjedhur dhe lëvizjes së detyruar?! Ai që i barazon këto dy lloje; është i mangët në perceptim.
Personi që kërkoi udhëzimin tha: Allahu të shpërbleftë me të mira, vërtetë më largove çdo paqartësi, dhe jam bindur plotësisht.
Përktheu: Jeton Bozhlani