Shembulli i tretë

Çështja e burrit xhebrij (atij që beson se njeriu është i shtyrë me imponim që të veprojë)

Një burrë besonte ekstremisht shumë në xhebr (se njeriu vepron me imponim) dhe kader (caktim). Ky për çdo gjë të madhe dhe të vogël arsyetohej me kader; saqë erdhi në një gjendje mospërfilljeje ndaj shumë mëkateve, dhe sa herë këshillohej dhe qortohej për veprimet e tij, e përdorte kaderin si argument në të gjitha situatat.

Mirëpo ky kishte një shok, i cili e qortonte dhe e këshillonte për këtë besim të gabuar, i cili bie në kundërshtim me mendjen, tekstet fetare dhe shqisat; por ky qortim vetëm se e nxiste më shumë.

Kurse shoku i tij, priste dhe shfrytëzonte rastet që ta shtrëngonte me disa gjëra që lidheshin vetëm me të, sepse ky xhebriu (që besonte se njeriu është i shtyrë me imponim të veprojë) kishte pasuri të mëdha, të cilat i menaxhonte nëpërmjet kujdestarëve dhe punëtorëve. Rastësisht afër kësaj kohe, erdhi bariu i bagëtive dhe i tha: Bagëtitë kanë ngordhur dhe janë shkatërruar të gjitha, sepse i kam dërguar për kullosë në një tokë të thatë, e cila nuk kishte bar të njomë.

Ky e pyeti: Çfarë është arsyeja jote që e ke vepruar këtë, përderisa e ke ditur se filan toka është e thatë?

Bariu iu përgjigj: Caktimi i Allahut.

Megjithëse ishte i mbushur me zemërim, atëherë iu shtua zemërimi edhe më shumë, saqë gati sa nuk pëlciti nga ky arsyetim.

Kur erdhi punëtori i mallit, tha: Kam udhëtuar nëpër një rrugë me rreziqe, ku banditët më rrëmbyen pasurinë.

Ky e pyeti: Përderisa e ke ditur se është rrugë me rreziqe, atëherë pse e ke ndjekur atë, duke braktisur rrugën e sigurtë, në të cilën nuk ka patur dilema?

Punëtori iu përgjigj sikurse bariu, ndërsa ky e trajtoi ashtu siç e trajtoi edhe bariun.

Më pas erdhi kujdestari i fëmijëve të tij dhe tha: Unë i urdhërova fëmijët të futen në pus – me qëllim që të mësojnë notin -por ata u fundosën në ujë.

Ky e pyeti: Pse e ke vepruar këtë, përderisa e ke ditur se ata nuk dinë të notojnë? Ti e di se, pusi që e përmende ka shumë ujë; prandaj pse i ke lënë që të futen të vetëm në të, pa i shoqëruar edhe ti?!

Kujdestari u përgjigj: Kështu është kaderi i Allahut.

Ndërsa ky u zemërua ndaj tij më tepër se ndaj dy të parëve, saqë gati sa nuk vdiq nga zemërimi. Pra i shtohej zemërimi çdoherë që kujdestarët i përgjigjeshin: Kështu është caktimi i Allahut.

Me këtë rast, shoku i tij i tha: O filan, sa çudi është me ty! Si u solle me zemërim të madh me këta njerëz, dhe nuk ua pranove arsyetimin, kur u arsyetuan me caktimin e Allahut, e bile ky arsyetim ua shtoi mëkatin edhe më shumë sipas teje. Ndërsa me Zotin tënd – në situatat e tua të turpshme-  u arsyetove sikurse ata?!

Nëse ti ke arsyetim, atëherë është më primare që ata të jenë edhe më të arsyetuar. Nëse arsyetimet e tyre i ngjajnë talljes; atëherë si pajtohesh që në këtë mënyrë të sillesh ndaj Zotin tënd?

Atëherë xhebriu erdhi në vete, masi ishte fundosur në ekstremizmin e tij, dhe tha: Elhamdulilah që Allahu më shpëtoi nga gjendja ku isha, dhe këto që më ndodhën i bëri përkujtim dhe mësim për mua, sepse e kuptova gabimin tim të madh.

Tani mendoj i bindur se, begatia e udhëzimit në të vërtetën, është më e rëndësishme për mua sesa këto fatkeqësi të mëdha. Dhe se me këto fatkeqësi, më është realizuar fjala e Allahut:

وَعَسَىٰٓ أَن تَكۡرَهُواْ شَيۡ‍ٔٗا وَهُوَ خَيۡرٞ لَّكُمۡۖ وَعَسَىٰٓ أَن تُحِبُّواْ شَيۡ‍ٔٗا وَهُوَ شَرّٞ لَّكُمۡۚ وَٱللَّهُ يَعۡلَمُ وَأَنتُمۡ لَا تَعۡلَمُونَ

“Por mund ta urreni një gjë, ndërkohë që ajo është e mirë për ju e mund ta doni një gjë, ndërkohë që ajo është e dëmshme për ju. Allahu di, kurse ju nuk dini.” (El Bekareh, 216)

Përktheu: Jeton Bozhlani