Shembulli i katërt
Polemika në mes të Kaderiut dhe Xhebriut
Ishte zgjatur polemika në mes të kaderiut, i cili besonte se: veprat e njerëzve nuk lidhen me dëshirën e Allahut, dhe xhebriut, i cili besonte të kundërtën e saj, pra se veprat e njeriut janë me imponim, dhe se ato ndodhin pa zgjedhjen e tij. Kjo ngase që të dy qëndronin larg njëri-tjetrit në pole të kundërta.
Prandaj u pajtuan që t’i drejtoheshin për gjykim njërit prej dijetarëve të ehli sunetit, që ata e njihnin si njeri të ditur dhe fetar.
Dijetari i ehli sunnetit u tha: çdonjëri le të paraqes bindjen e tij, ndërsa unë e kam obligim që të gjykojë hollësisht mes jush, duke ia refuzuar të pavërtetën çdonjërit, si dhe duke ia pranuar të vërtetën çdonjërit që e posedon atë.
Kaderiu tha: Unë besoj se Allahu është gjykues i drejtë, nuk i bën padrejtësi askujt nga robërit e Tij, ndërsa pohimi im për këtë parim nënkupton dhe kërkon që, Zotin tim ta pastrojë nga ajo që, veprat e këqija të robërve ndodhin me dëshirën e Tij; sepse robi është ai që ka marrë iniciativë t’i veprojë ato, dhe se ai i pavarur i ka vepruar ato.
Ndërsa argumentet e mia lidhur me këtë, janë të gjitha ajetet dhe hadithet që dëshmojnë se Allahu nuk u bën aspak padrejtësi robërve të Tij, dhe se Ai është Gjykues i Drejtë; dhe se nëse veprat e tyre do të lidheshin me dëshirën e Tij, e më pas Ai t’i dënonte për to, do të ishte padrejtësi nga dy aspekte:
- Nga aspekti se ato do t’i atribuoheshin dëshirës së Tij
- Si dhe nga aspekti se, si do t’i dënonte ata për një gjë që, Ai vetë ka dashur të ndodhë dhe e ka caktuar?!
Pastaj nëse unë them se, ato ndodhin me dëshirën e Allahut, atëherë me këtë do t’i zhvleftësoja urdhëresat dhe ndalesat e Allahut, bile me këtë ka zhvleftësim të tërë legjislacionit fetar. Prandaj unë nuk kam parë se si të shpëtojë ndryshe nga kjo shkelje, përveçse nëpërmjet kësaj rruge të drejtë, me të cilën pajtohet çdo njeri që Allahu e ka dalluar me dhënien e mendjes.
Ndërsa xhebriu tha: Unë besoj se, Allahu mund të veprojë çdo gjë, dhe se Ai është Krijues i çdo gjëje, dhe se çdo gjë që Ai do ndodhë, ndërsa ajo që Ai nuk do nuk ndodhë. Këto janë çështje që nuk mund t’i mohojë një musliman; e as nuk mund t’i diskutojë. Kjo (dëshira e Allahut) është gjithëpërfshirëse, asnjë ndodhi nuk mund të dalë jashtë saj, ndërsa prej ndodhive më madhështore janë veprat e njerëzve, qofshin ato vepra të mira, apo mëkate apo të tjera. Prandaj nëse ato do të ishin jashtë fuqisë dhe dëshirës së Allahut, atëherë Allahu nuk do të ishte i fuqishëm për çdo gjë, e as Krijues i çdo gjëje, që nënkupton se njerëzit janë të detyruar me imponim të veprojnë veprat e tyre, dhe se nuk mund të zgjedhin për to, sepse sikur të mund të zgjidhnin dhe t’i vepronin në të vërtetë, atëherë ato do të ishin jashtë fuqisë dhe dëshirës së Allahut. Prandaj nuk mbetet tjetër pos besimit të xhebrit (imponimit), dhe se njerëzit janë të detyruar me shtytje për t’i vepruar veprat e tyre, sepse mbi ta zbatohet dëshira e Allahut, që e eliminon dëshirën e tyre.
Ndërsa argumentet e mia lidhur me besimin tim janë: të gjitha ajetet dhe hadithet që pohojnë krijimin dhe dëshirën gjithëpërfshirëse të Allahut; dhe nëse unë do të besoja se njeriu i vepron veprat e tij në realitet; atëherë këto do t’i përjashtoja nga dëshira dhe fuqia së Allahut.
Gjykuesi i ehli sunetit u tha: Çdo njëri nga ju e sqaroi plotësisht besimin e tij, dhe çdonjëri argumentoi me argumente të padiskutueshme; për shkak se ishin të shumta dhe të qarta. Por asnjëri nuk e vështruat këtë çështje nga të gjitha aspektet, por e vendosët në spikamë një aspekt kurse nuk e kishit të qartë aspektin tjetër, dhe shumë prej gabimeve ndodhin mu për këtë arsye. Ndërsa unë do të gjykojë mes jush me një gjykim që mbështetet në Kuran dhe Sunet, si dhe mbështetet mbi mendjen e shëndoshë dhe natyrshmërinë, gjë që çdonjërin nga ju do ta bind, nëse qëllimi juaj është kërkimi i realitetit.
Sa të përket ty, kaderij: ia qëllove me fjalën: se të gjitha veprat e njerëzve janë veprim i tyre; qofshin vepra të mira, apo mëkate apo vepra tjera. Gjithashtu ia qëllove me argumentimin tënd për to; se ato Allahu ua atribuon atyre. Ia qëllove edhe me distancimin nga ai besim që nënkupton zhvleftësimin e urdhëresave dhe ndalesave të Allahut, e që është imponimi i veprave. Por bëre një gabim të madh, kur pohove se dëshira dhe fuqia e Allahut nuk lidhet me veprat e njerëzve. Pra mohove të gjitha tekstet që dëshmojnë për këtë parim; dhe mendove se nëse pohohet dëshira dhe krijimi gjithëpërfshirës i Allahut, do të bie në kundërshtim me atë se veprat e njerëzve ndodhin me zgjedhjen dhe veprimin e tyre. Ky mendim është një gabim i pastër. Por besimtari që kupton, bashkon mes këtyre dy gjërave: pohon se Allahu është krijues i çdo gjëje; i qenieve, i tipareve dhe i veprave, dhe se –megjithatë- në realitet veprat dalin nga ta.
Ndërsa sa të përket ty, xhebrij: ia qëllove me pohimin se Allahu mund të bëjë çdo gjë, dhe se Ai është Krijues i çdo gjëje, dhe se atë që dëshiron Ai ndodhë pashmangshëm, e ajo që Ai nuk dëshiron nuk ndodh, dhe gjithashtu ia qëllove me argumentimin.
Por bëre një gabim të madh kur pretendove se: me pohimin e dëshirës gjithëpërfshirëse të Allahut kërkohet besimi se njeriu është i detyruar të veproj me imponim, dhe jo me dëshirën e tij. Ti pra mendove se pohimi i kaderit gjithëpërfshirës kërkon nga ti që të besosh në këtë mënyrë.
Më pas, dijetari gjithashtu u tha: që të dy patët besim të përzier me të vërtetën e tij dhe të pavërtetën e tij; ndërsa unë do të gjykoj mes jush me një gjykim, i cili përmban miratim të asaj të vërtete që e posedon çdonjëri nga ju, dhe zhvleftësim të asaj të pavërtete që e posedon çdonjëri.
Mbi këtë gjykim dëshmojnë shumë tekste: ndër to është fjala e Allahut:
لِمَن شَآءَ مِنكُمۡ أَن يَسۡتَقِيمَ٢٨ وَمَا تَشَآءُونَ إِلَّآ أَن يَشَآءَ ٱللَّهُ رَبُّ ٱلۡعَٰلَمِينَ
“për secilin nga ju që dëshiron të ndjekë rrugën e drejtë. Por ju nuk mund të dëshironi, përveçse me dëshirën e Allahut, Zotit të botëve!” (Et Tekuir, 28-29).
Ky ajet fisnik gjykoi mes jush; sepse në të Allahu pohon se njeriu posedon dëshirë, me të cilën vepron dhe ndjek rrugën e drejtë ose e braktisë atë, me dëshirën dhe zgjedhjen e tij. Dhe njoftoi se dëshira e njeriut është nën dëshirën e Allahut, që nuk del jashtë saj. Pra dëshira e Allahut është gjithëpërfshirëse, asgjë nuk del jashtë saj, por megjithatë janë njerëzit ata që veprojnë, binden apo mëkatojnë.
Megjithëse lidhur me këtë dëshmojnë tekstet e fesë –nga Kurani dhe Suneti- gjithashtu dëshmon edhe mendja, realiteti dhe shqisat. Sepse Allahu e ka krijuar njeriun, si dhe ka krijuar të gjitha tiparet që gjenden në të. A nuk e pranoni këtë gjë, duke qenë se çdo njeri i logjikshëm e pranon?!
Ata u përgjigjën: gjithsesi që e pranojmë.
Dijetari tha: Në mesin e tipareve të njeriut – të cilat ia ka krijuar Allahu – është mundësia dhe dëshira e tij për të vepruar, me të cilat mund ta arrijë çdo gjë që dëshiron – të mirën, të keqen, adhurimet, mëkatet – dhe me to ndodhin veprat e bindjes dhe veprat e kundërshtimit (mëkatet).
Ju e dini se, kur njeriu dëshiron ta bëjë një gjë, për të cilën ka mundësi, atëherë ai do ta bëjë me atë mundësi dhe dëshirë që Allahu ia ka krijuar.
Dhe kur njeriu vepron një nga veprat e tij, atëherë ajo hyn nën caktimin gjithëpërfshirës të Allahut; sepse Krijuesi i shkakut të plotë – që është mundësia dhe dëshira e njeriut për veprim- është poashtu Krijues edhe i rezultatit të atij shkaku, dmth rezultatit që del nga mundësia dhe dëshira për veprim. Kurse çdonjëri nga ju e pranon se Allahu është krijues i mundësisë dhe dëshirës së njeriut për të vepruar; sikurse që ka krijuar gjymtyrët dhe organet e brendshme të tij.
Nëse pajtoheni me këtë besim – i cili është i saktë- që u kuptua në bazë të dëshmive të teksteve fetare, dhe në bazë të mendjes dhe ndjesisë – atëherë ka ardhur puna për të rënë në ujdi.
Çdo njëri le të distancohet nga e kota e tij, të pranojë të vërtetë që e posedon tjetri.
Xhebriu le të distancohet nga besimi i tij se: njeriu është i detyruar të veproj me imponim
Të pranoj se: veprat e njeriut ndodhin me veprimin e tij në realitet
Le të distancohet kaderiu nga besimi i tij se: veprat e njeriut nuk hyjnë nën dëshirën e Allahut, dhe se krijimi dhe fuqia e Allahut nuk i përfshinë ato.
Dhe le ta pranojë se: Allahu ka krijuar çdo gjë dhe se kaderi i Tij përfshinë çdo gjë.
Lavdia i takon Allahun, i Cili sqaroi të vërtetën, dhe u dha sukses atyre robërve që deshi, që ta pasojnë këtë të vërtetë.
﴿ وَٱللَّهُ يَهۡدِي مَن يَشَآءُ إِلَىٰ صِرَٰطٖ مُّسۡتَقِيمٍ﴾
“Allahu udhëzon në udhë të drejtë kë të dojë” (El Bekare 213)
Përktheu: Jeton Bozhlani