A ka mundësi Allahu që ta krijoj një gurë të cilin nuk mundet që ta bartë?
Kjo është njëra prej pyetjeve më të njohura që ja bëjn ateistët besimtarëve.
Pika e parë që duhet ta kemi parasysh është që rregulla e cila thotë se “për çdo pyetje ka përgjigje” nuk është rregull precize, përkundrazi ajo që është e saktë është “për çdo pyetje të saktë ka përgjigje”, gjë që nënkupton se për pyetjet e pasakta nuk ka përgjigje, porse ato pyetje fillimisht duhen rregulluar pastaj të jepet përgjigja për to, shembull për pyetjet e pasakta është:
A është më ftohtë në dimër apo në Alaskë?
Përgjigja e kësaj pyetje në këtë rast është e gabuar edhe nëse thuhet “në Alaskë” edhe nëse thuhet “Në dimër”, sepse nuk krahasohet koha me vendin, mund të krahasohet koha me kohë, apo vendi me vend, mirëpo jo dy gjëra që janë krejtësisht ndryshe…
Kjo pyetje mund të saktësohet nëse thuhet: “A është dimri më i ftohtë në Alaskë apo në Siberi?”
A je ndal nga pirja e alkoolit?
Kjo pyetje është e pasaktë për një person që asnjëherë nuk ka pirë alkool, edhe nëse përgjigjet me “Po” apo me “Jo” nuk do të jetë përgjigja e saktë, përkundrazi ai duhet të thotë: Pyetja është gabim, unë nuk kam pirë alkool asnjëherë, së pari duhet të pyesësh a e kam konsumuar ndonjëherë alkoolin?
Kjo sa për ilustrim, sepse përndryshe pyetjet e këtilla të gabuara nuk kanë fund.
Tani ti kthehemi pyetjes në fjalë, a mundet që Allahu ta krijoi një guri të cilin nuk mundet që ta bartë?
Edhe në këtë rast kjo pyetje nuk është e saktë, kjo pyetje bie ndesh me veten e saj, është sikur të thuash: A ka mundësi i Gjithëfuqishmi të bëjë diçka për të cilën nuk ka fuqi?
Pra kjo pyetje bie ndesh me vetveten, sepse nëse thua që është i Gjithëfuqishëm, si ka mundësi që t’ia atribuosh pafuqinë Atij.
Një pikë e rëndësishme për ta përmendur është që fuqia e Allahut ndërlidhet me gjërat e mundshme e jo me të pamundshme të cilat janë thjesht imagjinata dhe iluzione dhe që nuk ekzistojnë jashtë mendjes, andaj kur e dëgjojmë Allahun duke thënë:
﴾إِنَّ اللَّـهَ عَلَىٰ كُلِّ شَيْءٍ قَدِيرٌ﴿
“Në të vërtetë Allahu ka mundësi për çdo gjë” 2:20
Ky ajet ndërlidhet me gjëra reale, të cilat nuk bien ndesh njëra me tjetrën, sepse nëse bie ndesh ndonjë çështje njëra me tjetrën atëherë ajo nuk llogarit gjë, por ajo është thjesht një iluzion dhe asgjë më tepër, lidhur me këtë thotë dijetari islam ibn Tejmije:
“Nuk ka dyshim që Allahu ka mundësi për çdo gjë, siç është shprehur për një gjë të tillë Kurani në shumë vende…mirëpo ato çështje që janë të pamundura vetvetiu nuk llogariten gjë me pajtimin e të gjithë njerëzve të mendjes, andaj nuk paramendohet që të ekzistojnë ato jashtë mendjes, sepse nuk është e logjikshme që një çështje të jetë jashtë mendjes në të njëjtën kohë edhe ekzistuese edhe jo ekzistuese, apo edhe e lëvizshme edhe e palëvizshme…apo ekzistimi i të sotshmes me të djeshmen apo me të nesërmen në të njëjtën kohë, apo gjëra të ngjashme, andaj këto çështje nuk futen tek përgjithësimi që e ka jap Kurani” Es-Safedije (2/109)
Pra ibn Tejmije dhe dijetarët tjerë islam e mohojnë që për çështjet e pamundshme të ndërlidhet fuqia e Allahut me to, kjo çështje edhe më tutje pohon gjithëfuqinë e Allahut, sepse po ta pohonim që Allahu ka fuqi edhe për iluzionet që janë të pamundshme atëherë me këtë do t’ia atribuonim Lartmadhërisë së tij pafuqinë, sepse nëse themi që Ai ka mundësi që të bëjë diçka për të cilën nuk ka mundësi që ta bëj atëherë me këtë do ta pohonim pafuqinë.
Pra me këtë del në pah që pyetja është gabim, ajo mundet të përmirësohet nëse themi “A ka mundësi Allahu që ta krijoi një guri gjigand?”, apo shprehje të ngjashme, në këtë rast pa problem përgjigjemi që Po.
Pyetje të ngjashme me atë të lartpërmendurën që janë të pasakta vetvetiu janë edhe pyetjet në vijim:
A ka mundësi i Pari pa fillim që të ketë fillim?
A mundet i Pakrijuari (Krijuesi) që të jetë i krijuar?
A ka mundësi i Pavdekshmi ta vdes veten e Tij?
A ka mundësi Allahu që ta krijoi një Zot tjetër? (kjo bie ndesh sepse nëse krijohet ai më nuk është Zot)
E pyetje tjera të ngjashme me këto.
Për të mos ndodh ngatërresa duhet pas parasysh që gjërat e pamundshme janë në dy kategori:
- Të pamundshme zakonisht
- Të pamundshme logjikisht
Të pamundshmet zakonisht, mund të jenë të mundshme logjikisht
Shembull për të pamundshmen zakonisht është që të fluturoj tavolina.
Shembull për të pamundshmen logjikisht është ekzistimi dhe mos ekzistimi i tavolinës në të njëjtën kohë dhe vend.
Të pamundshmet zakonisht mund të bëhen të mundshme logjikisht, p.sh fluturimi i tavolinës është i mundshëm nëse me ndonjë dhomë e largojmë ligjin e gravitetit, kurse e pamundshmja logjikisht ajo ngel e pamundshme gjithmonë dhe nuk është gjë, dhe fuqia e Allahut nuk ndërlidhet me gjëra të pamundshme logjikisht, ndërsa në anën tjetër ndërlidhet me gjëra të pamundshme zakonisht, sepse të pamundshmet zakonisht ndërlidhen me dituri dhe fuqi, kur të gjinden këto dy komponente atëherë një gjë e cila ka qenë e pamundshme zakonisht mund të bëhet e mundshme logjikisht dhe realisht, si p.sh:
Në shekujt e mëparshëm ka qenë e pamundshme zakonisht dërgimi i zërit prej lindjes në perëndim, ndërsa kjo është bërë e mundshme më pas përmes rrjetave telefonike, pra me dituri dhe me fuqi munden të ndryshohen gjërat e pamundshme zakonisht.
Tek gjërat e pamundshme zakonisht futen edhe mrekullitë e Profetëve, pra ato janë të pamundshme zakonisht e jo logjikisht, sepse Ai i Cili i ka vendos ligjet në univers mundet ti mënjanoj ato kur të dëshiron, gjë të cilën nuk e bën zakonisht, megjithëse bën përjashtime për Profetët apo të ngjashëm.
Nga ky shtjellim del në pah që fuqia e Allahut ndërlidhet me çështjet e pamundshme zakonisht sepse ato futen tek fraza “Gjë”, sepse ekzistojnë jashtë mendjes, ndërsa në anën tjetër nuk ndërlidhet fuqia e Allahut me çështjet e pamundshme logjikisht, sepse ato nuk janë gjë dhe nuk ekzistojnë jashtë mendjes.
Përgaditi: Esat Rexhepi